Media malazeze: Kompania e afërt me Vuçiq po importon kamionë ushtarakë të maskuar si makina ndërtimi - NACIONALE

Media malazeze: Kompania e afërt me Vuçiq po importon kamionë ushtarakë të maskuar si makina ndërtimi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Burime të gazetës malazeze“Pobjeda”, dyshojnë se kompania “Millennium Team” po importon kamionë ushtarakë të maskuar si makina ndërtimi në Serbi përmes portit Bari.

Në një artikull të publikuar të shtunën, raportohet se kjo kompani është e afërt me regjimin në Beograd dhe se shpesh është favorizuar në procedura tenderësh shtetërorë. Veç tjerash, thuhet se mediat serbe kanë raportuar që pronarët e kësaj kompanie, Ivan Boshnjak e Stojan Vujko, janë njerëz besnik të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Por, raportohet se të njëjtit janë edhe vetëm pronarë formal të kompanisë.

Sipas mediumit, para pak javësh në zonën doganore të Portit të Tivarit janë ndaluar mbi 20 kamionë të importuar nga kjo kompani. Burimet e “Pobjedës” pohojnë se të njëjtat janë automjete ushtarake, më konkretisht, raketambajtëse, nga të cilat janë hequr hendekët.

Drejtoria doganore i ka thënë mediumit se “veturat në fjalë janë deklaruar në organin doganor si makina ndërtimore”.

Siç shihet edhe në foto, automjetet janë të lyera me ngjyrë të verdhë nga jashtë, por sipas burimeve të mediumit, pjesa e brendshme është Jeshile, ose e njohur si SMB e që përdoret nga ushtria.

“Lidhur me çështjen që kanë të bëjnë me automjetet e futura në Portin e Tivarit, theksojmë se ato nuk janë lëshuar në qarkullim të lirë dhe as nuk ka qëllim për t’i vënë në qarkullim në Mal të Zi. Automjetet u dërguan me rrugë detare në Portin e Tivarit, për të kryer procedurën e tranzitit përmes Malit të Zi deri në destinacionin përfundimtar.” – kanë thënë ndërkaq nga dogana për mediumin malazez, duke bërë të ditur se është kërkuar dokumentacion shtesë në lidhje me automjetet.

Por sipas informacioneve të mediumit, automjetet janë lejuar për ta vazhduar udhëtimin për në Serbi. Burime jozyrtare të “Pobjedës”, kanë thënë se automjetet janë importuar nga Kina për kompaninë “Millennium Team”.

“Kur ngritet kabina dhe shihni poshtë, gjithçka është SMB, ngjyrë ushtarake, ngjyrë ulliri. Ata ndoshta do të blejnë raketahedhës veç e veç ose veç i kanë blerë tashmë.” – ka thënë ky burim.

Ndërkohë, nga kompania serbe, kanë thënë se “janë në process të blerjes dhe importit të makinerive ndërtimore dhe kamionëve nga Kina për ndërtimin e Expo 2027”.

“Bëhet fjalë për 24 makineri, nga të cilat 20 janë tashmë në Serbi, ndërsa për katër traktorët dhe vinçat e mbetur presim që procedura e rregullt doganore, sipas informacioneve që marrim nga transportuesit tanë, të përfundojë në Portin e Barit në ditët në vijim.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga kompania, kanë thënë se “pajisjet e përmendura nuk janë për përdorim ushtarak, por për përdorim civil”.

Megjithatë, mediumi raporton se burimi i tyre "është skeptik dhe nuk është i sigurtë që dërgesa e arritur nga Kina në Portin e Tivarit për tregun serb është vërtetë civile”.

Lajme të ngjashme