Me turbulenca drejt KiE-së: Paralajmërimi i sotëm nga Serbia, shkelje e Marrëveshjes me të dy këmbët
Pronat e Manastirit të Deçanit, shpronësimet në veri dhe Asociacioni i komunave serbe, kanë qenë tri kushte për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo, ishte bërë e qartë – përtej raporteve – nga Emisari amerikan, Gabriel Escobar, në një intervistë për REL-in, para pak javësh.
Por, një ditë më vonë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, do ta quante ‘keqintepretim’ kushtëzimin me tri tema për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Që prej publikimit të raportit të Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në Këshillin e Evropës, gjërat shkuan duke u qartësuar.
Tani, një nga temat më të diskutueshme, është, nëse vërtet – të paktën – dërgimi i Draftit Evropian të Asociacionit për validim në Kushtetuese, do të jetë kusht ose jo.
Pavarësisht referencave të qarta në Raportin e Bakojanis, askush nuk e mohon me saktësi e as nuk e pohon, këtë kusht. Për korrektësi, vetëm eksperti i të drejtës kushtetuese, Enver Hasani, beson se ky është kusht i patejkalueshëm për Kosovën dhe këtë e thotë, në një seri intervistash dhënë ditëve të fundit në mediat kosovare: kanal10, KTV, etjerë.
Daçiq: Do të jetë hera e parë kur në Këshillin e Evropës, ‘pranohet një enitet që nuk është shtet’
Në një intervistë për RTS serb, Ivica Daçiq, foli për tri çështje: atë se në rast të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kjo do të ishte ‘hera e parë që pranohet një enitet që nuk është shtet’, për atë se Asociacioni do të jetë kusht – dhe këtë do ta kërkojnë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe për themelimin e një ekipi që do ta luftojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Daçiq ka thënë se ‘pranimi i Prishtinës (sic!) në Këshillin e Evropës nuk do të vendoset nga drejtësia dhe ligji por nga forca”.
“Nuk kemi asnjë dilemë. Drejtësia dhe të drejtat nuk janë në pyetje këtu. Këtu do të shohim forcën në përdorim dhe do të shohim se si dikush ta imponon forcën”, ka thënë Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë.
Ai tha se Këshilli i Evropës është një organizatë që së pari do të duhej të merrej me liritë dhe të drejtat e njeriut.
“Nuk mund të thuhet se që në fillimet e para Këshilli i Evropës nuk ka qenë një organizatë politike dhe ishte ngjyrosur politikisht përgjatë këtyre viteve. Por tani, po hyjmë në një fushë që shkon kundër të gjithë natyrës së Komisionit Evropian në vetvete dhe ku principet themelore të tij janë duke u shkelur”, tha Daçiq.
Ai ka thënë se ‘vendet anëtare të Këshillit të Evropës janë shtete, dhe me pranimin e Kosovës, për herë të parë do të ndodhte pranimi i një ‘eniteti që nuk është shtet’.
Daçiqi ka ‘rikujtuar edhe tri kushtet që janë diskutuar në raportin e Dora Bakojanis’, e që përfshijnë “regjistrimin e pronës së Manastirit të Deçanit, formimin e Asociacionit të komunave serbe dhe ndalimin e shpronësimeve në veri’.
“Sigurisht që kjo nuk është kurrgjë sepse Asociacioni i komunave serbe është obligim për Prishtinën që prej 11 vjetësh. Dhe tani, kur kemi edhe përvjetorin e Marrëveshjes së Brukselit, Asambleja Parlamentare do ta diskutojë këtë rekomandim për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, Dora Bakojani u dorëzua në këto kushte, por ka disa vende që nuk do të dorëzohen përballë këtyre kushteve”, ka thënë Daçiq.
Daçiqi ka thënë se ‘sot do të ketë një mbledhje të qeverisë serbe’ ku do të ‘formohet një Komision që do të kryesohet nga vetë ai” dhe nga i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq dhe detyra e tyre do të jetë “lufta kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës’.
E sa i përket çështjes së fundit, për themelimin e një ekipi që do ta luftojë Kosovën që t’ia pamundësojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Serbia shkel me të dy këmbët nenin 4 të Marrëvezhjes Bazike i cili thotë:
“Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. (Marrëveshja Bazike e Brukselit, 27 shkurt 2023).