"Me porosi": Mbrojtja e pushtetit për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, çka ndodhi dje?
Prokuroria Speciale ka njoftuar për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin për kryerjen e veprave; “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Në anën tjetër është shumë shqetësuese sesi deputetët e pushteti e mbrojtën Krasniqin teksa lajmi ka mbërritur edhe në Slloveni. Çka ndodhi dje?
Çka ndodhi dje?
Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës zbarkoi dje gjatë ditës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kryen bastisje.
U bë e ditur se hetimet u kryen për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të një tenderi për remontin e Bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”.
Edhe më parë, Nacionale kishte raportuar gjerësisht në lidhje me shtyrjen e vazhdueshme të remontit në këtë bllok, derisa ka pasur shfajësime të ndryshme edhe nga zyrtarë të pushtetit përfshirë Besnik Bislimi.
Gazeta kishte mësuar që humbjet nga mosfunksionalizimi i këtij blloku ishin rreth një milion euro në ditë.
E gjatë së mërkurës, Policia e Kosovës nisi bastisjen në ambientet qendrore Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, ku më pas u mësua edhe për arrestimin e drejtorit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.
Një burim i mirinformuar i gazetës Nacionale brenda policisë ka bërë me dije se dyshimet ndaj Krasniqit kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave së bllokut A5.
Mbrojtja e pushtetit
Pak orë më vonë, pushteti i doli në mbrojtje të dyshuari për keqpërdorim të pozitës. Akuzat e tyre ishin tepër të rënda.
Kryesisht për këtë gjë, deputetët e VV-së e sulmuan Prokurorinë e Shtetit.
Disa e mohuan se Krasniqi është pjesë e VV-së e disa e pranuan që ai është aktivist i tyre, mirëpo krejt në fund nuk harruan që të sulmohet Prokuroria.
Arbër Rexhaj, deputet i LVV-së, ka folur rreth rasti për Kanal 10, duke theksuar se Krasniqi nuk është pjesë e VV-së.
“Personin të cilin që e përmendet ju si anëtar të VV-së unë e kam pasur në Komision hetimor dhe e kam intervistuar vetë, por nuk është anëtar i VV-së. Personin që po flisni ju nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Mos të keqkuptohet se nuk është formë e distancimit nga ai, por është një e pavërtetë. Pra personi që është arrestuar sot, ku në ditët në vazhdim drejtësia do ta thotë fjalën e vetë, mirëpo nuk është i Vetëvendosjes. Vetë e kam intervsituar në Komision hetimor.” - ka thënë Rexhaj.
Deputeti tjetër, Halil Thaçi, ka shkruar një status të çuditshëm në lidhje me arrestimin e Nagip Krasniqit, duke e cilësuar lajm të mirë.
“Është lajm i mirë kur dëgjova arrestimin e Drejtorit të Kek-ut, pasi gjithmonë jamë frigu se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin e tij, duke e ditur se sa banditave ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut.Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurin e tij , mbase atentatin ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje.” – ka thënë ai.
Një gjuhë po aq të çuditshme e ka përdorur edhe deputeti tjetër i VV-së, Adnan Rrustemi, i cili e quajti me porosi arrestimin e Krasniqit.
"Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV! " – ka shkruar Rrustemi.
Përveç tyre edhe anëtarja e Kryesisë së VV-së, Dejona Mihali ka reaguar për rastin.
Opozita
Lajmi për arrestimin e Krasniqit – aktivist i VV-së – i emëruar në pozitën e shefit nga Qeveria Kurti, ka ngjallur një debat të madh e me reagime të shpejta nga opozita.
Sipas tre liderëve kryesorë opozitarë, arrestimit i Krasniqit është një tregues për korrupsionin e pushtetit të kryeministrit Kurti në sektorin e energjisë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shkroi se një ngjarje e tillë është “dëshmia më e mirë” e abuzimeve të Qeverisë Kurti në sektorin e energjisë.
Me të njejtën ashpërsi ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kërkoi përgjegjësi politikë për “mafinë energjetike”.
Ndërkohë, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, reagoi shkurtë dhe qartë.
“Kjo çfarë po ndodhë në KEK, është dëshmia më e mirë se lidhjet e shkurtëra janë korrupsioni më i keq!” – tha ai.
Ndërkohë lajmi për arrestimin e tij ka mbërritur edhe në Slloveni.
Arrestimin e Krasniqit e ka komentuaredhe ish-kryeministri slloven Janez Jansha, i cili e ka lidhur me rastin Berishaj- GEN- Golob.
“E fundit: Arrestimet dhe bastisjet e shtëpive në industrinë elektrike të Kosovës, me sa duket rezultat i gjetjeve të hetimit të rastit Berishaj - GENI – presidentit Golob,” - ka shkruar Jansha.






