Më në fund çelet rruga për shpallje të rezultateve: Supremja e hedh poshtë ankesën për votat me postë të diasporës
Gjykata Supreme ka rrëzuar ankesën/kërkesën për anulimin e votave me postë të diasporës – ankesën nuk e ka bërë VV, anipse kishin thënë se do ta bënin.
Ankesa ishte shtruar nga Partia Demokratike e Ashkalinjëve (PDAK LPB).
Në vendimin e Gjykatës Supreme, ankesa shpallet “e pabazuar”.
KQZ orë më parë tha se pret veç edhe një vendim të Gjykatës Supreme për të proceduar me rrugët për certifikimin përfundimtar të rezultateve.
“Për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke ndjekur hapat e përcaktuar me ligj. Aktualisht, KQZ është duke pritur vendimin nga Gjykata Supreme lidhur me ankesën e një subjekti politik të certifikuar.
Para se të thërrasë mbledhjen për shpalljen e rezultateve, KQZ do të sigurohet për konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme për të parë nëse ka ndonjë ankesë të pazgjidhur dhe nëse mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare,” tha Valmir Elezi nga KQZ-ja.