Me kërkesë të Kurtit: A shkoi Liburn Aliu në BDI që t’i ndreqë raportet me Ali Ahmetin? - NACIONALE

Me kërkesë të Kurtit: A shkoi Liburn Aliu në BDI që t’i ndreqë raportet me Ali Ahmetin?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një udhëtim i paparalajmëruar ndodhi sot. Udhëtari quhej Liburn Aliu, që ushtron funksionin e ministrit në Qeverinë Kurti. Destinacioni i Aliut ishte Maqedonia e Veriut. Më saktësisht selia e BDI-së. Nikoqiri i tij një burrë me emrin Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Por cila ishte arsyeja e takimit?

Zyrtarisht Aliu udhëtoi me shpejtësi drejt Maqedonisë së Veriut për të diskutuar me Ahmetin rreth rrugës që lidhë dy qytete, atë të Prizrenit dhe të Tetovës. Pas takimit, në një konferencë të shkurtër për medie, ku nuk u lejuan pyetjet nga gazetarët e pranishëm, nga goja e Ahmetit u kuptua se takimi ishte bërë me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.

“Vizita është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës me qëllimin më të mirë për vazhdimin e komunikimit. Ashtu siç ka qenë në të kaluarën, ky komunikim dhe ky bashkëpunim të vazhdojë me interes për të dyja vendet tona sepse çdo bashkëpunim dhe forcim i këtij bashkëpunimi mes vendeve të rajonit si me Republikën e Kosovës si me Republikën e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Serbisë, sigurisht që jemi investues të fortë në drejtim të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë së sigurt të rajonit që jo hiq më shumë se 20 vite ka qenë i trazuar në konflikte e luftëra me pasoja të rënda.” – deklaroi Ahmeti.

Në linjë të njëjtë me Ahmetin, ishte edhe vet ministry Aliu, i cili foli me “admirim” për rrugën Prizren-Tetovë.

“Përpos që lidh Prizrenin me Tetovën e lidh edhe pjesën e parkut nacional të Sharrit në pjesën e Republikës së Kosovës me pjesën e parkut nacional në anën e Maqedonisë. Zonat kanë vlera të jashtëzakonshme dhe mundësi të zhvillimit ekonomik përmes turizmit si veror edhe dimëror dhe kjo rrugë do të krijojë një mundësi të menaxhimit të përbashkët të parkut nacional dhe menaxhimit të zhvillimit të turizmit për të dyja vendet që do të mund të krijonte mundësi të reja për vende pune e zhvillim ekonomik” – theksoi Aliu.

Në fakt, përtej temës zyrtare, momenti i vizitës është po ashtu interesant. Takimi Aliu-Ahmeti erdhi pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoni të Veriut, vizitë e cila u kritikua goxha shumë nga pala maqedonase, por edhe nga opozita kosovare, përfshirë analistët e njohësit e çështjeve politike.

Sipas informacioneve të Nacionales, vizita e Kurtit në Tetovë e Çair ka krijuar një ftohje në raportet me Ahmetin, i cili duket se ka një “hatërmbetje” për mënyrën se si ishte organizuar vizita e kryeministrit kosovar, i cili u takua me krerët e opozitës shqiptare, të cilët kanë krijuar në front kundër BDI-së së Ahmetit.

Në këtë kontekst, takimi në mes Aliu e Ahmetit, që erdhi me kërkesë të Kurtit, më shumë duket si një vizitë pajtuese e një tendencë për të shkrirë akullin në mes Kurtit e Ahmetit. Sigurisht, përzgjedhja e ministrit Aliu duket të ketë qenë e menduar mirë, pasi përveç ministër i Infrastrukturë, është edhe pasardhës i Ali Aliut, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare dhe njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Sidoqoftë, për rrugën që pritet të lidhë Prizrenit me Tetovën, ka folur edhe Artan Grubi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Njeriu i besueshëm i Ali Ahmetit, pra z. Grubi, ka bërë një deklaratë interesante, e cila më shumë mund të interpretohet si një mesazh drejtuar Kurtit.

“Vizita e zotëri Kurtit është e mirëseardhur dhe vjen shpesh dhe shpesh herë udhëton nga këtu për jashtë vendit, kishte karakter lokal për motive të ndryshme nga dy komunat në fjalë dhe nuk shoh kontestuese këtu… Tjetër gjë është që disa persona përpiqen ta keqpërdorin zotëri Kurtin, sepse qytetarët e dinë se pa Qeverinë as tabelën me emrin Adem Demaçi nuk mund ta ndërrojnë e as ta bëjnë rrugën Tetovë – Prizren.” – deklaroi Grubi.

Lajme të ngjashme