Me Hotin “skifter”, me Kurtin e Grenellin “pulë”: Pse presidentja nuk “guxoi” t`ua përmendte emrat kryeministrit dhe emisarit amerikan?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e djeshme për media përdori standarde të dyfishta. Në adresimin e saj, ajo zgjodhi komentimin e kritikave të ish-kryeministrit Avdulalh Hoti për Marrëveshjen e Uashingtonit, por jo edhe kritikat e të dërguarit të presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell. Shefja e shtetit nuk pati “guxim” të komentoi as aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili ka vlerësuar se mbajtja e pozitës së ministrit dhe deputetit njëkohësisht përbën shkelje kushtetuese.
E para e vendit dje është pyetur dy herë për kritikat e diplomatit amerikan, por ka refuzuar t`i komentoi ato.
“Unë kam dhen vlerësim pozitiv për presidentin Turmp, nuk dua të komentoj se si e kanë komentuar të tjerët pastaj deklaratën time. Thjesht dua t`i fitoj qytetarët e Kosovës, por edhe juve që këto deklarata që janë publike t`i dëgjoni vetë për të parë në qoftë se si presidente e Republikës kam keqinterpretuar ndonjë gjë”, ka thënë Osmani.
Diplomati amerikan e kishte kritikuar të dielën presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për “manipulimin e fjalëve” të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 2019 dhe 2020 përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Zyrën Ovale. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi që ka pasur diçka të re është absurde”, kishte shkruar Grenell në platformën X.
Shefja e shtetit dy herë u pyet edhe për aktgjykimin e Gjykatës Supreme, cili ka konstatuar se deputetët nuk mund të mbajnë në të njëjtën kohë pozitën e kryeministrit apo ministrit.
As në këtë pyetje nuk gjeti kurajo t`i bëjë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të tij për zbatimin e këtij aktgjykimi.
Madje, ajo nuk e pa të arsyeshme t’i dënojë as sulmet e linçimet e zyrtarëve qeveritarë ndaj gjyqtarëve që e kanë marrë këtë vendim.
“Për Supremen palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, kurse Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj për AAK-në ka thënë se nëse deputetët dëshirojnë ta ngrisin çështjet e papërputhshmërisë mes detyrës së deputetit dhe ministrit atëherë mund ta bëjnë me 40 nënshkrime. Pra është edhe kjo rrugë tjetër, sepse po flasim për një çështje kushtetuese. Tash unë e kam opinionin tim, por mos ta marr detyrën e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Osmani.
Qasje krejt tjetër, Osmani kishte ndaj ish-kryeministrit, Avdullah Hoti.
Kur u pyet për kritikat e këtij të fundit, ajo me nervozizëm u përgjigj, duke thënë se është njeri jorelevant.
“Hoti është njeriu më jorelevant, nuk dua ta humb asnjë sekondë”, ka ajo.
Reagimi i Hotit ishte i shpejt.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka quajtur Osmanin si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së.
“Po i mbaron mandati 5-vjeçar në krye të shtetit të Kosovës pa asnjë rezultat e pa asnjë kontribut për shtetin e Kosovës. Pesë vite demagogji e mashtrime, të cilat po dalin sheshit. Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa. Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”, duke treguar hallin kryesor të saj.
“Kjo e ka hallin se në prill e dorëzon mandatin dhe do të mbahet përgjegjëse dhe bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit të shtetit të Kosovës dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës. Asnjë fjalë nuk e flet për vendimet e organeve të drejtësisë që konstatojnë uzurpimin e institucioneve nga LVV dhe partnerët e saj, përfshirë ish-partinë e saj Guxo”, ka vlerësuar Hoti.