Me dilema ligjore e pa britanikët, pushteti pritet t’i dërgojë për seancë emrat për guvernator të BQK-së - NACIONALE

Me dilema ligjore e pa britanikët, pushteti pritet t’i dërgojë për seancë emrat për guvernator të BQK-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ahmet Ismaili e Lulzim Ismajli janë dy kandidatët që për herën e dytë me radhë ia kanë mësyrë postit të guvernatorit në Bankën Qendrore të Kosovës. Të njëjtit ishin edhe në konkursin e parë, proces që u anulua pa asnjë njoftim e pa asnjë vendim që i është ofruar mediave e publikut.

Gazeta Nacionale në vazhdimësi ka raportuar për këtë proces, që është vlerësuar shumë i dyshimtë dhe me shkelje të shumta ligjore.

Fillimisht nga fakti që konkursi i parë u anulua pa shkuar emrat e kandidatëve në Kuvendin e Kosovës. Nacionale ka mësuar jozyrtarisht se Komisioni për Buxhet e Financa që drejtohet nga Armend Muja i VV-së, ishte arsyetuar me nenin 110 të Rregullores së Punës së Kuvendit.

Neni në fjalë thotë se në raste kur kandidatët nuk i plotësojnë kushtet, atëherë Kryetari i Kuvendit duhet ta njoftojë institucionin në fjalë për këtë fakt. Pra, Komisioni kishte pretenduar se këta anëtarë nuk i plotësojnë kushtet.

Çudia është në faktin se edhe në konkursin e parë edhe në konkursin e dytë kandidatë kryesorë janë Ahmet Ismaili e Lulzim Ismajli. Të dy që ishin pjesë e konkursit të parë që u anulua me arsyetimin se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet, tash janë sërish pjesë e garës.

Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se Komisioni për Buxhet e Financa pritet t’i dërgojë në seancë të Kuvendit këta dy emra. Madje, sipas burimeve emrat do të dërgohen për votim në seancë qoftë edhe pa përkrahjen formale të Komisionit në fjalë. Megjithatë, pushteti po punon t’i sigurojë votat.

Mbledhja e Komisionit për Buxhet është ftuar për orën 14:00, ku pritet të marrin pjesë edhe anëtarët e komisionit Bashkim Nurboja e Nora Latifi-Jashari. Të dy anëtarë të bordit të BQK-së, e Nurboja edhe U.D Guvernator.

Banka Qendrore e Kosovës kishte njoftuar se i ka proceduar emrat e këtyre dy kandidatëve. Më pas, në Komision i procedoi edhe Qeveria. Kujtojmë se Ahmet Ismaili ishte drejtor i Thesarit kur Kosovës iu vodhën mbi 2 milionë euro.

“Me vendimin e miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ky vendim do të përcillet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Për të gjitha këto dyshime për shkelje ligjore, ambasada e Britanisë në Kosovë ishte tërhequr nga monitorimi i këtij procesi.

“Ne kemi qenë të angazhuar në procesin e parë rekrutues për Guvernator të Bankës Qendrore. Ky proces ka dhënë kandidat profesionist, të aftë për të udhëhequr me pozitën. Sidoqoftë asnjëri nga kandidatët e rekomanduar nga ekspertët britanik zbatues të projektit nuk është emëruar”, thuhet fillimisht në përgjigjen e ambasadës së Britanisë për Nacionalen.

“Është politikë e jona që mos të angazhohemi në procese të ri-shpallura të cilat përkundër që japin kandidatë të emërueshëm, nuk emërohen vetëm sepse ata kandidatë nuk i pëlqejnë dikujt në vendimmarrje. Por ne nuk kemi qenë të përfshirë në monitorimin e procesit për Guvernator të Bankës Qendrore.”, përfundon përgjigja.

Megjithatë, BQK-ja ka vlerësuar se konkursi është shpallur në përputhje me ligjin.

Procesi për përzgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore është shpallur në pajtim me Ligjin për Bankën Qendrore. Pas përfundimit të afatit për aplikim, aktualisht procesi për përzgjedhjen e Guvernatorit është në fazën e procedimit të mëtejmë konform veprimeve të përcaktuara sipas nenit 38 të Ligjit për Bankën Qendrore”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Nacionalen.

Kjo situatë ka bërë që Banka Qendrore e Kosovës të kapet nga pushteti. Aktualisht U.D Guvernator është Bashkim Nurboja, ish-kandidat për deputet e ish-kandidat për kryetar të Pejës nga Vetëvendosja. Anëtar i bordit është Nexhat Kryeziu, tjetër kandidat për deputet dikur nga radhët e Vetëvendosjes.

Për këtë situatë kishte reaguar edhe shoqëria civile në Kosovë dhe partitë në opozitë.

Lajme të ngjashme