Më 2015 iu thye dera e shtëpisë, por Kurti mori arratinë - NACIONALE

Më 2015 iu thye dera e shtëpisë, por Kurti mori arratinë

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Col Mehmeti

Dhjetra pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës po ngjiteshin rëndë-rëndë shkallëve të një shumëkatëshe me fasadë të verdhë në rrugën ‘Svetozar Markoviq’, jo larg qendrës së Prishtinës.

Kjo ngjitje e shkallëve nga kati në kat mbytej nga zhurmëria e hapave dhe çizmeve që i jepte një kumb suspence.

Trokitjeve në derë nuk iu përgjigj askush për minuta të tërë.

Policët nuk kishin më zgjidhje tjetër përpos ta hapnin forcërisht derën. “Policiaa….” duhet të jetë dëgjuar zëri i policëve teksa futeshin në korridorin e ngushtë të banesës.

Por, badiahava kjo punë! I pandehuri për të cilin ishte lëshuar fletëarrest nga Gjykata Themelore e Prishtinës kishte ikur prej kohësh nga aty.

Kështu ngjau në tetëmbëdhjetë nëntorin e vitit 2015 kur asokohe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mori ‘malin’ vetëm e vetëm që t’i ikte organeve të rendit.

Ai ishte vetëm njëri nga katër deputetët që ngarkoheshin me disa vepra penale njëherish (Albulena Haxhiu, Donika Kadaj—Bujupi dhe Faton Topalli).

Tekqë për javë të tëra seancat e Kuvendit të Kosovës frymëziheshin prej gazit lotsjellës, Kurti me kompani ngarkoheshin me veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” (sipas nenit 375 të Kodit Penal të Kosovës), “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” (sipas nenit 409), si dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” (sipas nenit 365 të po të njëjtit kod).

Për javë të tëra, ai kishte qëndruar në arrati dhe larg dorës së shtetit, duke u fshehur në shtëpitë e aktivistëve—asokohe ishte përfolur në formë dyshimi se Kurti qe fshehur në Gllogjan te Haradinajt, me të cilët ishte në aleancë opozitare.

Jorastësisht, Kurti ishte bërë i gjallë në protestën e mbajtur më 28 nëntor 2015 si bashkëndërmarrje e tri partive opozitare.

Me një veprim të papritur, me të cilin kishte alienuar dy partitë aleate, AAK-në dhe Nismën, Kurti ishte bërë ‘ylli’ i protestës.

Nga një i arratisur, i dalëligji, ai kishte mbajtur një fjalim plot patos me të cilin, ndër të tjerash, e kishte bërë për pesë pare edhe “flamurin lara-lara”.

Siç shihet nga videot e asaj dite, duke qenë në dijeni se Policia do ta arrestonte, rreth Kurtit ishte bërë një kordon me trupat e militantëve të tij për të shmangur arrestimin.

Me këtë ‘blindim’ njerëzor, ai ishte përcjell nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’ gjer të rruga ‘UÇK’ ku asokohe ishte selia e Vetëvendosjes.

10 vjet më vonë Kurti rebelohet ndaj ligjit

I arratisuri i dikurshëm ka mbetur me mendtë e njëjta edhe pas dhjetë vitesh.

Edhe si kryeministër në detyrë, Kurti nuk po i “ha në sy” ftesat e institucioneve të drejtësisë.

Pavarësisht se sot në orën 10:00 do të duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale të Kosovës për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, ai sërish i bëri bisht ftesës.

Në vend të respektimit të institucionit, ai vendosi të mos e trazonte hiçfare agjendën e tij dhe mori pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdhe në Gjilan.

“Kurrë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, lirinë po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë, e jo krimin e korrupsionin”, ka thënë nga atje kryeministri në detyrë.

Kur historia ia kthen turinjve

Për vite me radhë, mbështetës të Kurtit u kanë dhënë jehonë fjalëve të tij gjatë kohës sa akuzohej nga gjykatat serbe.

Më 9 mars të vitit 2000, në sallën 79, kati i tretë, ndërtesa e Gjykatës së Qarkut në Nish, në praninë e dhjetra gazetarëve, Kurti po e bënte figurën e ‘heroit’antishtet dhe gjykatësja Sllagjana Petroviq atë të ‘gardianes’ së shtetit.

Në fjalën e tij, djaloshi 25 vjeç u shpreh se nuk e njihte gjykatën ashtu siç nuk e pranonte as Serbinë e Jugosllavinë.

“Pas kësaj fjale, unë nuk do të përgjigjem më në pyetjet e këtij gjyqi që nuk e njoh. Unë përgjigjem vetëm para gjyqit të popullit tim”, kishte thënë Kurti fiks para njëzet e pesë vitesh.

Ironia e këtij episodi është se po i njëjti vazhdon të sillet shpërfillës e refuzes edhe ndaj institucioneve të drejtësisë të shtetit të Kosovës.

Lajme të ngjashme