Më 17 shkurt mbahet tubim për Thaçin e të tjerët: Kush qëndron pas këtij organizimi? - NACIONALE

Më 17 shkurt mbahet tubim për Thaçin e të tjerët: Kush qëndron pas këtij organizimi?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 17 shkurt, në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, janë organizuar evente të ndryshme në Kosovë. Mes tyre, edhe një tubim për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë. Kush qëndron pas këtij organizimi?

Në sheshin Skënderbe në Prishtinë do të mbahet një “tubim festiv” në nderim të ish-komandantëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë.

E organizuar nga “Përjetësisht Mirënjohës”, aty tregohet edhe aryseja pse është ftuar ky tubim.

“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë së vendit tonë, ju ftojmë në tubimin festiv me moton "Festojmë me ju"!” – thuhet në njoftimin për këtë organizim.

Nga kush konkretisht u thirr?

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi i ka thënë gazetës Nacionale se manifestimi po organizohet nga disa të rinj, aktivistë politikë.

Ai madje, ka thënë se pjesë organizimit, janë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

“Manifestimin e organizon një grup i te rinjve, aktivistë të ndryshëm politik, media edhe pjesëtar të ndryshëm të shoqërisë civile. Nisma është në mbështetje." - ka thënë ai.

Mes tjerash, Sherifi i ka thënë Nacionales se Thaçi dhe të tjerët, meritojnë respect për shkak se janë “akterë të çlirimit dhe pavarësisë së vendit.

“Mendoj që e meritojnë një respekt atë ditë, sepse janë aktor të çlirimit dhe te pavarësimit të vendit. Historia është ajo që ka ndodh, jo ajo që disa kanë dëshirë të këtë ndodhur. Historia është tërësia e veprimeve jo tërësia e dëshirave!” – ka thënë ai.

Çka ka tjetër në agjendë?

Para pak ditësh, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, mbajtën një konferencë për media, ku prezantuan agjendën për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 5, 6, 7 mars.

Ministri Çeku ka bërë të ditur se programi fillon nga nëntë shkurti dhe zgjatë deri më 12 mars.

“Në këto 30 ditë aktivitete do të ketë homazhe, nderime, parakalim të FSK-së, turne e kampionate në sport, aktivitete muzikore, ekspozita, shfaqje filmi, teatri e baleti, promovime librash, gara shkollore e sesione librash. Do të ketë edhe pritje zyrtare.” – bëri të ditur ai.

Ndërkaq, në Ditën e Pavarësisë, Qeveria e Kosovës do të mbajë një mbledhje nga ora 08:00, më pas Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë seancë nga ora 11:00.

“Programi është 30 ditor, ku çdo ditë do të ketë aktivitet për shënimin e këtyre datave. Gjithashtu do të ketë pritje zyrtarë në Kosovë. Programi total i përgjithshëm është i përmbledhur në një faqe prezantim. Dita e 17 shkurtit, pra 15 vjetori të pavarësisë në orën 08:00 mbledhja festive e Qeverisë. Në orën 11:00 mbahet seanca festive e Kuvendit. Parakalimi do të mbahet më 17 shkurt në orën 12:00 në sheshet qendrore.” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme