Mbyllet regjistrimi i votuesve nga diaspora, gati 110 mijë aplikime të aprovuara dhe 25 mijë në pritje për shqyrtim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakomnshme parlamentare të 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se periudha e regjistrimit u mbyll më 17 maj.
"Nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim," tha Elezi për Nacionale.
Nga kjo shifër, 109,696 kërkesa janë aprovuar, 7,325 janë refuzuar, ndërsa 25,702 të tjera mbeten ende në pritje për shqyrtim.
Metoda më e zgjedhur mbetet votimi me postë.
Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas kosovarë jashtë vendit kanë zgjedhur të marrin pakon me fletëvotim në kutinë e tyre postare jashtë vendit.
Ndërkaq, 2,855 të tjerë do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së brenda Kosovës, kurse 24,940 janë regjistruar për votim fizik në përfaqësi diplomatike.
Votimi me postë planifikohet të nisë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ditë në të cilën zhvillohet edhe votimi fizik nëpër ambasada e konsullata.
Kutitë postare janë funksionalizuar në 23 shtete, ndërsa adresat do të bëhen publike gjatë kësaj jave.
Plani fillestar parashikonte votim në 48 përfaqësi diplomatike me 70 vendvotime.
Megjithatë, KQZ do ta rishikojë listën.
"Nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet," sqaroi Elezi, duke shtuar se ata votues do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës.