Mburrjet e pushtetit ditë e më pa vend, FMN-ja me parashikime të zbehta të rritjes ekonomike për Kosovën
Mburrjet e pushtetit me parashikimet për rritje ekonomike të Kosovës në vitet a ardhshme sa vijnë e zbehen me projeksionet që – krahasuar me vitet para periudhës pandemike – po përjetojnë një rrjedhë negative. Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikoi rritje ekonomike nën mesataren e viteve 2016-2019.
Ndërmjet këtyre viteve, Kosova gëzonte një normë mesatare vjetore të rritjes reale prej rreth 4.65 për qind.
Kjo rritje rezulton mbi mesataren (3.87) e përqindjes së parashikuar nga kreditori ndërkombëtar për vitet 2024, 2025 dhe 2029.

Që nga viti 2021, kur rritja reale ekonomike, e ndikuar nga kërkesa në rritje e konsumatorëve dhe ringjallja e aktivitetit ekonomik pas ngadalësimit global të shkaktuar nga COVID-19, Kosova ka parë një rrjedhë negative të rritjes reale ekonomike krahasuar me mesataren vjetore 2009-2019.
Në pjesën më të madhe të kësaj periudhe, rritja ekonomike e Kosovës qëndroi më lart se sa ajo e pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Me tkurrjen e popullsisë në moshë pune si rezultat i migrimit të vazhdueshëm, projeksionet e rritjes për vitet në vijim nuk japin shpresë për ridizajnime pozitive të shifrave mesatare të rritjes ekonomike.
Sipas raportit të Bankës Botërore, i titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, që Kosova të kaloj në një model rritjeje me më shumë vende punë, “duhet të vazhdojë të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe të përshpejtojë reformat që synojnë mbylljen e boshllëqeve rregullatore, kapitalin njerëzor dhe infrastrukturore vitale.”
Sipas raportit, një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore të Kosovës përbëhet nga të varfërit, të cilët përballen me paga të ulëta dhe kapital njerëzor të kufizuar.
Kjo situatë përkeqësohet nga pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, veçanërisht tek gratë, e cila ndikohet nga opsionet tërheqëse jashtë vendit, përfshirë migrimin.
Një tjetër sfidë e Kosovës vazhdon të mbetet inflacioni, me raportin që thekson se pavarësisht ngadalësimit në muajt e fundit, inflacioni bazë mbetet i lartë.
“Inflacioni i konsumatorëve ngadalësoi, duke arritur mesatarisht 2.1 për qind midis janarit dhe gushtit 2024. Megjithatë, inflacioni bazë mbetet i lartë (3.6 për qind deri në gusht).” – thuhet në raport.
Në vitin 2022, rritjet e çmimeve arritën nivele të papara në dekada dhe goditjet e çmimeve të energjisë goditi ashpër shtresat më të cenueshme.