Mbindërtim ilegal në zonën historike në Prizren, Komuna thotë se do ta rrëzojë – opozita kritikon - NACIONALE

Mbindërtim ilegal në zonën historike në Prizren, Komuna thotë se do ta rrëzojë – opozita kritikon

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dukuria e ndërtimeve në zona të mbrujtura të trashëgimisë kulturore nuk është një gjë e re në Kosovë. Së fundmi, një mbindërtim u pa të zë hapësirë në zonën historike të qytetit të Prizrenit, që njihet si një nga qytetet me objekte të rëndësishme të kulturës e historisë shqiptare

Saktësisht përballë xhamisë “Sinan Pasha”, mbi një objekt dy katësh ka filluar të ndërtohen konstruksione të hekurit, duke ngjallur reagime nga qytetarët dhe instancat komunale.

Siç merr vesh Gazeta Nacionale, mbindërtimi fillimisht u nis si rinovim kulmi. Megjithatë më pas u kthye në konstruksion, i cili mori vëmendjen e banorëve të zonës historike të Prizrenit.

Siç edhe mund të shihet në foton e siguruar nga Nacionale, konstruksionet e hekurit i përkasin një biznesi që operon aty, emri i së cilës vërehet qartë.

Lidhur me këtë, Nacionale ka kontaktuar me zyrtarët e komunës për të pasur një pasqyrë më të saktë rreth asaj nëse kjo iniciativë e biznesit gjegjës është bërë me leje.

Jona Hoxhaj, zëdhënëse e Komunës së Prizrenit, në një prononcim për Nacionalen, ka konfirmuar se ndërtimi në fjalë është pa leje.

“Ndërtimi është pa leje. Objekti është vizituar nga inspektorët komunalë dhe është bërë procesverbali”, tha fillimisht Hoxhaj.

Tutje, ajo shtoi se pronari është udhëzuar që ta heqë atë, ndryshe një gjë të tillë do ta bëjë vetë Komuna e Prizrenit.

“Inspektorët e kanë udhëzuar pronarin që të heqë konstruksionin që ka vendosur, ndërsa nëse nuk e bën një gjë të tillë, do t’i hiqet nga organet kompetente”, përfundoi Hoxhaj.

Nacionale, duke shfrytëzuar të dhënat e lokalit të paraqitura në Agjencinë Kosovare për Regjistrim të Bizneseve, ka dërguar pyetje në numrin e kontaktit të lënë për komunikim nga vetë biznesi.

Por, deri në momentin e publikimit të lajmit, përgjigja nga ana e biznesit ka munguar.

Për këtë çështje kritika në adresë të udhëheqjes komunale të shumta ka opozita në Prizren.

Ilir Gashi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, i tha Nacionales se konstruksionet e tilla janë kthyer në standard.

“Konstruksionet e përkohshme nga metali dhe qelqi janë dukuri qe janë kthyer nga një praktike e keqe në një standard që i ka karakterizuar të gjitha qeverisjet lokale. Vendosja e konstruksioneve te përkohshme po bëhet në dem të lirisë së qarkullimit dhe hapësirës publike, si dhe po shëmton peizazhin kulturor te qytetit. Në shatërvan përveç mbindërtimeve dhe dukurive të tjera që e shëmtojnë qendrën historike te qytetit, tani me të madhe janë përhapur edhe konstruksionet e përkohshme që janë instaluar në çdo cep të shatërvanit, duke filluar disa metra larg nga vetë zyrat e inspektoratit e në afërsi të QRTK-së. Deri me tani nuk është ndërmarr asnjë hap në largimin e këtyre konstruksioneve dhe dënimin e pronarëve të lokalëve”, tha Gashi për Nacionale.

Duke kritikuar komunën, Gashi i bën thirrje Ministrisë së Kulturës që të reagojë në lidhje me konstruksionet mbi çatitë e objektit.

“Sot për fat të keq dukuria e konstruksioneve kishte marrë një dimension te ri. Njëri nga lokalet paska instaluar konstruksionin mbi çatinë e objektit. Inspektorati komunal dhe ai i MKRS duhet të reagojnë sa më shpejtë të jetë e mundur. Dhe jo vetëm në këtë rast, por të gjitha konstruksionet e vendosura në qendrën historike te qytetit. Gjithsesi, mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat ditëve në vijim, ose rreth asaj se sa do të zgjasin procedurat e procesverbalit”, përfundoi Gashi për Nacionale.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme