Mbijeton: Pavarësisht tri humbjeve, Abdixhiku ruan drejtimin e LDK-së
Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, i cili u thirr nga delegatët e kësaj partie. Anipse Abdixhiku tri herë, i humbi zgjedhjet duke e pozicionuar partinë e tij, në tri palë zgjedhje në pozitën e tretë, ai sërish i ka mbijetuar votëbesimit.
Derisa pritet që për pak zyrtarët e kësaj partie të dalin në konferencë për media, Nacionale nga vendi i ngjarjes ka mësuar se Abdixhiku i ka shpëtuar votëbesimit.
Zyrtari i kësaj partie, Berat Rukiqi, duke dalur nga salla ka thënë se kanë qenë 169 vota kundër shkarkimit.
“169 kundër shkarkimit, i bjen që dështon mocioni për shkarkim. Janë numëru të gjitha, tash janë duke i nda po dhe jo”, ka thënë ai, raporton Nacionale.
Ndërkohë, Nacionale ka mësuar se 152 delegatë kanë votuar pro shkarkimit të Abdixhikut.
Më herët në një fjalim, i vetmi që u lejua të ndiqet nga mediat, Abdixhiku pati kritika e akuza ndaj kritikëve të tij brenda partisë.
“Cili është ai zell që do ta dërgojë vendin sërish në zgjedhje, e në to të futet LDK me proces të brendshëm zgjedhor, a ju duket se jeni shumë për të larguar dhe shkarkuar, a është kjo trashëgimia politike e Rugovës dhe pasardhësve të tij.
Kur në fushatë refuzohet pjesëmarrja në betejën e partisë, e pas saj kërkohet përgjegjësi, ndjej vetëm keqardhje, dhe nuk mund t’i jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e partisë, teksa fërkon duart për një rezultat të keq, për të nisur sërish refrenin e njëjtë, përgjegjësi i jap vetëm atij delegati që ishte në terren secilën ditë, mbajti barrën e fushatës mbi supe dhe nuk u dorëzua kurrë. Atyre dhe vetëm atyre ua kemi borxh LDK-së, po ashtu jam thellësisht i zhgënjyer me gjuhën publike të zhvilluar nga disa gjatë javëve të fundit, i thonë kulturë institucionale, diçka me të cilën jemi mburrur gjithnjë. Gjuha e urrejtjes, nxitja, e shpifja kundër partisë sonë, nga vetë njerëzit e LDK-së, nuk ka qenë kulturë e as shkollë e mendësisë rugoviane. Nuk akuzohet kryetari i partisë se po ndan pozita ministrore për 355 delegatë, sinqerisht, sa i thellë duhet të jetë mllefi për të shpërfytyruar një raport me dikë që ke ndarë beteja e sfida. Sa larg duhet të ketë shkuar hidhërimi, e dëshpërimi që të shpifësh pa kufi, pa fakt, pa ndjenjë përgjegjësie”, u shpreh ai.
Nacionale kapi një moment kur Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit e ndër të parët që kërkoi shkarkimin e tij, tundi kokën gjatë fjalimit.