Mbi 40 mijë grekë protestojnë në Athinë për aksidentin tragjik mes trenave
Dhjetëra mijëra njerëz protestuan të mërkurën në Greqi për aksidentin më vdekjeprurës hekurudhor në historinë e vendit, pasi punëtorët vendosën që ta linin vendin e punës për një ditë në mbarë shtetin.
57 persona vdiqën nga aksidenti që ndodhi më 28 shkurt. Kjo fatkeqësi shkaktoi zemërim të publikut për gjendjen e dobët të rrjetit hekurudhor. Punëtorët kanë thënë se shpërfillja, investimet e vogla dhe mungesa e stafit për një kohë të gjatë – trashëgimi e krizës së vjetër të Greqisë me borxhe – duhet të fajësohen për këtë rast.
Më shumë se 40 mijë njerëz, mes tyre edhe punëtorë të transportit, studentë e mësimdhënës, marshuan në pjesën qendrore të Athinës, duke brohoritur “Vrasës!” dhe “Të gjithë jemi në vagonin e njëjtë”, raporton agjencia “Reuters”. Disa protestues u përleshën me policinë, e cila hodhi gaz lotsjellës në turmë.
Mijëra njerëz protestuan edhe në rrugët e qytetit të dytë më të madh të shtetit ballkanik, Selanik, ku një grup i protestuesve hodhën gurë drejt një ndërtese qeveritare. Protestat u përputhën me kohën e një greve 24-orëshe të punëtorëve të sektorëve të ndryshëm, e cila shkaktoi pengesa në transport në mbarë vendin.
Shumë prej rreth 350 personave që ndodheshin në trenin e udhëtarëve që u përplas kokë më kokë me një tren mallrash, ishin studentë që po udhëtonin nga Athina për në Selanik.
“Ndihesh i zemëruar, sepse qeveria nuk bëri asgjë për të gjithë ata fëmijë. Transporti publik është rrëmujë”- tha 19-vjeçari Nikomathi Vathi.
Një student tjetër, Vaggelis Somarakis, tha: “Ne do të jemi këtu derisa gjërat të ndryshojnë. Ne jemi rinia e këtij vendi dhe nuk do të ndalemi.”
Qeveria konservatore, e cila fillimisht kishte planifikuar që t’i shpallte zgjedhjet në javët e ardhshme, premtoi të mërkurën se do ta rregullojë sistemin e dobët hekurudhor.
Punëtorët e hekurudhave kanë mbajtur greva 24-orëshe vazhdimisht nga e enjtja, duke e bllokuar transportin hekurudhor. Të mërkurën, edhe autoritetet qeveritare i pezulluan këto shërbime derisa t’i rishikojë masat e sigurisë.
