Mbi 35,410 të vdekur nga tërmetet e fuqishme vetëm në Turqi
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se nga tërmetet e forta që goditën Turqinë, numri i personave të vdekur ka shkuar në të paktën 35,418.
Lëkundjet me magnitudë 7.8 dhe 7.5 ballë të javës së kaluar ishin të përqendruara në Kahramanmaras dhe goditën nëntë provinca të tjera – Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakir, Kilis, Osmaniye dhe Sanliurfa.
Ndëkohë, këto lëkundje u ndjenë edhe në disa vende të rajonit, përfshirë Sirinë dhe Libanin.
Tani, duke folur pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara, Erdogan po ashtu ka njoftuar për mbi 13,208 të lënduar, që janë duke marrë trajtim në spital.
Ndërsa, në një deklaratë të dhënë Presidenca Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), ka njoftuar aktualisht në terren janë duke punuar më shumë se 249,000 personel kërkimi dhe shpëtimi.
Sipas AFAD, deri më tani janë evakuuar pothuajse 195.962 persona.
Ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca, ka bërë të ditur se gjithsej 15 foshnja të prekura nga tërmetet janë dërguar në një spital të Ankara për kontrolle shëndetësore.
Ndërsa ministria e Jashtme e vendit ka njoftuar për gjithsej 9,046 personel të huaj nga 82 vende që janë duke punuar aktualisht në zonën e fatkeqësisë. Ministria gjithashtu ka thënë se deri më tani kanë ofruar ndihmë 100 vende të botës.

