Mbi 10 vite burgim dhe 42 mijë euro gjobë për 7 të akuzuarit për kontrabandim me migrantë - NACIONALE

Mbi 10 vite burgim dhe 42 mijë euro gjobë për 7 të akuzuarit për kontrabandim me migrantë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka shpallur fajtor këtë të mërkurë shtatë të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, duke i dënuar së bashku me 10 vjet e gjashtë muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë. Ndërsa njëri është liruar nga akuza.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën nga gjykatësi, Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Florim Krasniqi u dënua me 3 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë, ndërsa Taulant Bilalli me 1 vit e gjashtë muaj burgim dhe 5 mijë gjobë.

Për veprën penale të kontrabandimit me migrantë u dënua me 2 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë edhe i akuzuari Haki Maloku.

Po ashtu për të njëjtën vepër u dënua me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë i akuzuari Bekim Hasani.

Ndërkaq, të akuzuarit Sadat e Samed Murati si dhe Koplinger u dënuan me nga 1 vit burgim secili veç e veç për veprën penale falsifikim i dokumenteve, ndërsa i akuzuari Koplinger u dënua edhe me 2 mijë euro gjobë për veprën penale për armëmbajtje pa leje.

Kurse i akuzuari Florent Krasniqi u lirua nga akuza pasi që nuk ishte provuar se i njëjti kishte kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar.

Lajme të ngjashme