Mbështetet veprimi i gazetarëve për të bojkotuar ministren Hajdari, opozita kërkon dorëheqjen e saj
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, edhe sot vazhdon të jetë personi më i përfolur në Kosovë. Veprimi i gazetarëve për të bojkotuar konferencës se saj për media është mirëprita nga shoqëria civile dhe opozitare.
Këta të fundit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministres Hajdari.
Zyrtarët e opozitës i kanë përmendur skandalet ministres Hajdari, duke kërkuar përgjegjësi për rezervat shtetërore.
Sipas tyre, një ministre që mbyll media nuk mund të thërras konferenca për media.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka thënë se Hajdari është ministre e skandaleve.
“Po flet, Ministrja e skandaleve, Rozeta Hajdari sot në konferencë për media vet-me-vete. Ajo, që me nënshkrimin e vullnetin e saj mbyllë media, po thërret konferencë për media?! Ajo, që ka blerë vaj me rezervat e shtetit/ paratë tona, mall që kurrë nuk ka arritur në Kosovë; Ajo, që udhëheqë me staf e udhëheqës dikasteresh të emëruar kundërligjshëm nga vet ajo; Ajo, që pasurinë e saj e ka fshehur e s’e ka deklaruar- për këtë është ministre e dënuar”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”, duke ia përmendur edhe skandalet tjera.
“Ajo, që pëfundimisht edhe fëmijë ka shkelur në rrugë dhe nuk është dënuar. Veç një pyetje është relevante sot: pse nuk ke dhënë dorëheqje ende, Rozetë? Ti s’meriton me qenë vendimmarrëse për fatin e vendit tonë e as për paratë tona!”, ka shkruar ajo.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka kërkuar përgjegjësi për aferën e vajit, sheqerit dhe grurit.
Ajo ka lavdëruar veprimin e gazetarëve për të bojkotuar aktivitetin e sotëm të saj.
“Demokracia vdes në errësirë, Rozetë! Mirënjohje dhe respekt për këtë përgjigje meritore të gazetarëve ndaj një ministre të papërgjegjshme. P.S. Ku janë vaji, sheqeri e gruri?”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Bojkoti i gazetarëve
Shumica e gazetarëve sot kanë bojkotuar konferencën e ministres Rozeta Hajdari.
Me te filluar konferenca, gazetarët kanë marrë mikrofonat dhe kamerat dhe janë larguar nga salla e konferencave.
Kjo në shenjë revolte ndaj vendimit të MINT-it për shfuqizimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.
Derisa gazetarët largonin mikrofonat, duke e braktisur konferencën e saj, ministrja Hajdari ka treguar që qëllimi i kësaj konference kishte qenë ligjshmëria e regjistrimit të bizneseve.
Ajo ka bërë me dije se veprimet e ministrisë që drejton nuk kishin për qëllim ta pengonin fjalën e lirë.
“E di që disa prej jush e kanë marrë me shqetësim rastin e shfuqizimit të licencës se Klan Kosova shpk. E kuptoj shqetësimin e juaj dhe të punonjësve medial pran mediumit Klan Kosova, por është me rëndësi që të ju siguroj se pezullimi i certifikatës së biznesi të Klan Kosova nuk kishte fare për qëllim fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes dhe punën e mediave në vendin tonë, por vetëm ti zbatoj kërkesat legjitimeve të Kushtetues dhe ligjeve tona”, ka thënë Hajdari.
Vendimi i MINT-it për të pezulluar certifikatën e biznesit për Klan Kosova ka nxitur reagime të shumta në vend dhe jashtë vendit.
Një veprim i tillë i Qeverisë është vlerësuar si akt kundër lirish së shprehjes.
Në mbrojtje të medias së lirë dhe në mbështetje të Klan Kosovës, dhe qindra gazetarë ia mësyen sheshit të Prishtinës e për ta konkluduar marshin protestues para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

