Qeveria e kërkon nga të tjerët respektimin e ligjit, por vetë e mban kundërligjshëm kryeinspektorin e Punës - NACIONALE

Qeveria e kërkon nga të tjerët respektimin e ligjit, por vetë e mban kundërligjshëm kryeinspektorin e Punës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës e ka plotë gojën rend dhe ligj. Në çdo adresim publik kryeministri dhe ministrat kërkojnë nga institucionet, kompanitë publike dhe kompanitë private respektimin e ligjit.

Se fundi, në emër të sundimit të ligjit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka shfuqizuar certifikatat e disa kompanive, duke pretenduar se ato nuk e kanë respektuar ligjin. Por, vetë Qeveria është ajo që nuk e zbaton ligjin ashtu siç po i kërkohet.

Kanë kaluar më shumë se një vit që është konstatuar se Qeveria e Kosovës ka emëruar në mënyrë të kundërligjshme Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, por ekzekutivi vazhdon të heshtë ndaj kësaj shkelje.

Në korrik të vitit të kaluar, pas një monitorimit të jashtëzakonshëm, Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), kishte konstatuar se emërimin i Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Këshilli kishte vlerësuar se kjo pozitë hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publik dhe jo ligjeve tjera.

Në këtë mënyrë këshilli kishte kërkuar nga qeveria anulimin e këtij emërimi dhe shpalljen e konkursit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik.

Duke mos u pajtuar me këshillin, qeveria kishte sfiduar këtë vendim edhe në gjykata. Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit kanë refuzuar kërkesën e qeverisë , duke treguar se vendimi i KPMShCK-së është ka qenë i drejt dhe duhet të respektohet nga Qeveria.

Pavarësisht aktgjykimeve të gjykatave, Qeveria po vazhdon ta mbaj kundërligjshëm Hekuran Nikçin në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Se fundi, z. Nikçi Qeveria e Kosovës e ka emëruar edhe anëtar të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Mbajtjen e kryeinspektorit në mënyrë në kundërligjshme e ka kundërshtuar edhe shoqëria civile.

Përmes një reagimi Grupi për Studime Juridike dhe Politike, INDEP dhe Instituti GAP kanë shprehur shqetësimet e tyre për këtë cështje, duke kërkuar nga Qeveria që të respektohen vendimet e institucioneve të pavarura për këtë pozitë.

“Ka kaluar më shumë se një vit kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pas monitorimit të jashtëzakonshëm, kishte marr vendim që të anulohet vendimi për emërimin e kryeinspektorit. Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publik”, është thënë në reagim, duke përmendur edhe vendimet e gjykatave për këtë çështje.

“Gjithashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit kanë refuzuar si të pabazuar kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPMShcK-së, e cila ishte parashtruar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Po ashtu Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktgjykim ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Ministrisë së Financave, të cilët kishin kërkuar anulimin e vendimit MJ.nr.50/2022 të KPMShCK-së”, është vlerësuar në reagim.

Sipas tyre, Qeveria duhet t`i zabtojë vendimet e institucioneve të pavarura.

“Edhe përkundër vendimit të KPMShCK-së, vendimit të Gjykatës, Qeveria nuk e ka anuluar vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës, e i njëjti së fundmi është emëruar anëtar i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Andaj, ne kërkojmë që të respektohen vendimet e nxjerra nga organet kompetente dhe që të anulohet vendimi i marrë në mënyrë të jashtëligjshme”, është thënë në reagim.

Këshilli ishte ankuar edhe te Konjufca

Për moszbatimin e rekomandimit të tyre, KPMShCK-së ishte ankuar edhe tek kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Më 3 tetor të vitit të kaluar, Këshilli i ishte drejtuar me një kërkesë kryeparlamentarit. Në letrën e tyre, Këshilli i kishte prezantuar Konjufcës faktin që Qeveria e Kosovës nuk po e zbaton rekomandimin në lidhje me anulimin e përzgjedhjes së Kryeinspektorit të Punës.

Si rezultat, kërkuan nga Konjufca të kërkojë nga institucionet zbatimin e këtij vendimi, duke mundësuar kthimin e ligjshmërisë.

Në letrën e siguruara nga Nacionale, Këshilli e kishte njoftuar Konjufcën në detaje se si Qeveria dhe Ministria e Financave nuk po e anulojnë vendimin për Kryeinspektorin.

Aty i kërkohej Konjufcës që të ndërhyjë në këtë situatë, për të mundësuar kthimin e ligjshmërisë dhe zbatimin e rekomandimeve.

“Andaj, duke u bazuar në autorizimet tuaja kushtetuese, kërkojmë mbështetjen tuaj për kthimin e ligjshmërisë në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, me kërkesën që t’i drejtoheni autoritetit përgjegjës për ndërmarrjen e veprimeve në drejtim të zbatimit të Vendimit Nr.50/2022 të datës 14.07.2022 të Këshillit, siç përcaktohet me nenin 23 paragrafi të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhej në letrën e Këshillit.

Pse kryeinspektori i Punës është emëruar kundërligjshëm?

Më 25 maj të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës përmes një procesi të dyshimtë.

Gazeta Nacionale kishte raportuar se emërimi i Hekuran Nikçit në këtë pozitë ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kabineti qeveritar emërimin e këtij zyrtari të lartë e kishte bërë sipas Ligjit të Inspektoriatit, i cili parasheh se Kryeinspektori emërohet nga Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Në këtë mënyrë, Qeveria kishte anashkaluar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili prej korrikut të vitit 2020, kur ka hyrë në fuqi, përcakton se nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese duhet të zgjidhen sipas këtyre dispozitave të këtij ligji, të cilat kërkojnë se për këtë pozitë Ministria e Punëve të Brendshme duhet të shpallë konkurs.

Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të kësaj pozite, si duket Qeveria kishte mbyllur sytë dhe kishte zgjedhur rrugën më të shpejtë të zgjedhjes së Kryeinspektorit.

Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura në nenin 22 përcakton se drejtorët ekzekutivë të agjencive janë nëpunës civilë të kategorisë së lartë drejtuese, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Lajme të ngjashme