Maqedonia e Veriut sërish nën hijen e skandaleve të reja për përgjime - NACIONALE

Maqedonia e Veriut sërish nën hijen e skandaleve të reja për përgjime

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

4 shtator 2025 - Një skandal mund ta përfshijë shumë shpejt Maqedoninë me akuzat se janë bërë përgjime të paligshme dhe shpërdorime masive të sistemit survejues.

Kjo ngjan në kohën kur të gjitha partitë politike në vend kanë filluar përgatitjet e tyre për zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

Duke vepruar sipas udhëzimit të Prokurorit të Shtetit Ljupço Kocevski, Zyra Publike e Prokurorit Publik për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit tashmë ka hapur rast për të hetuar pretendimet për përgjime që e shënjestronin kryeministrin, Mickoski.

Në prononcimin e tij për media, ai ka thënë se shoqëria prej vitesh ka qenë viktimë e sistemit që i mbikëqyr qytetarët e vet.

“Ky nuk është sulm vetëm ndaj meje, por edhe ndaj demokracisë”, ka thënë Mickoski duke paralajmëruar pasoja ligjore për ata që janë përgjegjës.

Në anën tjetër, partia opozitare LSDM ka akuzuar qeverinë e Mickoskit se po manipulon, duke kërkuar me këtë rast deklasifikimin e të gjitha dokumenteve që kanë të bëjnë me rastin e që janë dorëzuar prej Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.

Zëdhënësja e kësaj partie, Bogdanka Kuzeska i ka cilësuar si kundërthënëse deklarimet e Mickoskit, duke thënë se përderisa të githa dokumentet nuk bëhen publike, rasti mund të përfundojë si “një përpjekje tjetër e dështuar për manipulim nga ana e qeverisë dhe shpërdorim parazgjedhor”.

LSDM ka akuzuar partinë në pushtet, VMRO-DPMNE, se po luan me aparatin e sigurisë për qëllime politike, duke e krahasuar këtë aferë me rastet e mëhershme.

Këto pretendime kanë rikthyer në kujtesë skandalin më namkeq të Maqedonisë së Veriut më 2015, kur kreu i asokohshëm opozitar Zoran Zaev kishte zbardhur se qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kishte përgjuar paligjshëm mbi 20 mijë njerëz.

Aty përfshiheshin politikanë të opozitës, gazetarë, aktivistë, gjykatës e diplomatë.

Ky rast kishte nxitur protesta mujore në rrugë, ashtu si edhe kritika të ashpra nga BE dhe ShBA, që në fund kulmuan me dorëheqjen e Gruevskit dhe mbajtjen e hershme të zgjedhjeve.

Një vit më vonë, Zaevi erdhi në pushtet me premtimin se do ta rimëkëmbte demokracinë dhe do ta fuqizonte pavarësinë e institucioneve.

Gruevski më vonë u dënua me akuzat për korrupsion, por më 2018 u arratis nga vendi dhe mori azil në Hungari, ku mbetet sot e gjithë ditën.

Lajme të ngjashme