Manuali gazmor: Kur Mimoza qeshte me Albinin - NACIONALE

Manuali gazmor: Kur Mimoza qeshte me Albinin

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Të dielën, ish-kryeministri Albin Kurti mori pjesë në një zijafet të vogël. Ai cakërroi gotat për ditëlindjen e tetë të partizës ‘Alternativa’ e drejtuar nga Mimoza Kusari-Lila. Me fjalët e tij mikluese për bashkëpunëtoren gjakovare, Kurti shkoi aq larg sa tha se bashkëpunimi me të do të hyjë “në manualet e shkencave politike kur bëhet fjalë për koalicionet dhe partneritetet”. Sidoqoftë, për ata që janë të paaftë për të harruar, ky manual ka edhe disa episode të bukura kur Mimoza Kusari tallej keq me Kurtin e idetë e tij për përmbysje revolucionare.

Qeshor, 2006. Kur Kosova ende po rropatej në procesin e pavarësisë, Lëvizja Vetëvendosje na kishte filluar një fushatë për bojkotimin e prodhimeve serbe.

Kjo iu duk gazetares Jeta Xharra një muhabet interesant sa për të mbushur emisionin e saj të radhës ‘Jeta në Kosovë’.

Por emisioni duket se doli jashtë shinave të menduara meqë njëri prej mysafirëve foli për “përmbysje revolucionare”.

Asokohe 31-vjeçar, kreu i Vetëvendosjes ishte fiksuar vetëm pas dy gjërave: UNMIK-u dhe Rezoluta 1244.

Ndonëse realitetet në vend ishin të tilla që gjithçka po ecte pakthyeshëm drejt pavarësisë, Kurti e kishte bërë mendjen çykë.

Institucionet, sipas tij, ishin veçse një mashtrim i madh, pasi vetëm UNMIK-u e Serbia vendosnin për Kosovën.

Pos tij, mysafirë në studio ishin ish-drejtoresha e Odës Amerikane, Mimoza Kusari, ashtu sikurse edhe drejtuesi i OJQ-së ‘Çohu’, Avni Zogiani, si dhe ish-drejtori i Gazetës Express, Baton Haxhiu.

Kurti: Në Kosovë, si në moçal, jetojnë krokodilët, bretkosat dhe zvarranikët e ndryshëm


Në këtë emision Kurti u shndërrua joqëllimshëm në subjekt gazmor pasi të gjithë qeshnin me fiksimet e tij.

Ajo që argëtohej e qeshte më së shumti me të ishte zonjusha Kusari, kurse Zogiani vetëm tundte kokën në shenjë skandalizimi.

Në një moment, Kurti bën një shkëputje patetike si kjo (minuta 28:38):

“Unë mendoj se nuk është e mundur edhe me u realizu pavarësia, edhe me met’ kjo klasë politike. Kjo klasë politike ekziston në këtë status quo që është moçal e ku jetojnë krokodilët, bretkosat dhe zvarranikët e ndryshëm. Po qe se ecë ky ujë, ata nuk mund të mbesin aty”.

Kusari për Kurtin: UNMIK-u shkon, ku është zhvillimi ekonomik?

Në vende të tjera, Kusari ishte më e zëshmja kundër vizioneve ‘revolucionare’ të atij që 15 vite më vonë do të bëhej shefi i saj.

Kur Xharra, e cila po ashtu po zbavitej me Kurtin, i përcjell fjalën zonjushes gjakovare, ajo e kritikon kreun e VV-së se po merrej me UNMIK-un e jo me zhvillimin ekonomik të vendit (minuta 17:40).

“Kurrkush nuk është tu mendu për zhvillimin e Kosovës. Ti po e quan UNMIK-un regjim, hajt po pajtohemi se UMMIK-u qenka regjim, po nesër shkon UNMIK-u, me kë do të mirremi? Prapë, Albin, do të mbesim ne, këta njerëz nuk do të zhduken me shkop magjik”, thotë Kusari të cilën Kurti e dëgjon pa bërë zë.

Si udhëheqëse e Odës Amerikane, ajo po i jepte mësim rebelit nga Prishtina edhe për konceptet liberale të ekonomisë ku, sipas saj, në Unionin Evropian vështirë se mund të flitet për politika stimuluese.

“Hajt se ndodhi ndërrimi revolucionar i pushtetit të tanishëm, Kosova e fitoi pavarësinë e saj, ajo po ecën me një hap shumë të sigurt drejt integrimeve evropiane ose ndonjë unioni çfaredo. Nuk mund të jetosh i izoluar, në konceptin ekonomik, 2 milionë janë treg shumë i vogël. Kur të hapemi si treg, meqë në Unionin Evropian as Gjermania nuk ka sovranitet në territorin e vet, nuk do të kemi mundësinë që t’i bëjmë stimulimet që ne mendojmë se duhet t’i bëjmë. Duhet të fitojmë tani një përparësi konkuruese në treg që të mund të konkurojmë. Nuk mund ta ndalësh Serbinë nëse ke një treg liberal” (minuta 29:47).

Këtu, Kurti e merr fjalën për t’i thënë bashkëfolëses kritike se thirrja e tij është vetëm për proteksionizëm.

“Nuk po flet askush për ndalje të tregut, por unë po them që më shumë ka proteksionizëm ekonomia numër një në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa ekonomia e fundit në Evropë, Kosova”.

Kusari: "Duhen analiza ekonomike" – Kurti: "Po Rezoluta 1244..."


Derisa biseda po rridhte minutë pas minute, Kusari i drejtohej Kurtit se politikat fiskale ishin në dorë të institucioneve.

“Për atë duhet të punohet në kuadër të sistemit. Përveç kampanjës, mua më intereson se çfarë po bëhet që të ndryshohet një politikë fiskale. A është dorëzuar ndonjë dokument me analiza të thukta, qoftë në UNMIK apo Qeveri të Kosovës, që tregon se nëse ndërrohet apo zbritet kjo normë fiskale, pas një viti për shkak të stimulimit do të ketë më shumë të hyra në buxhetin e Kosovës?”, pyet Kusari.

Kurti këtu shkakton përsëri hilaritete në studio kur thotë:

“Nuk ndryshohet politika fiskale me këtë Rezolutë 1244 sepse ajo ia pranon sovranitetin Serbisë”. /Nacionale/

Lajme të ngjashme