“Makthi i opozitës”: LDK në 'sulm' të pakuptueshëm ndaj partive tjera opozitare - NACIONALE

“Makthi i opozitës”: LDK në 'sulm' të pakuptueshëm ndaj partive tjera opozitare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lumir Abdixhikut, megjithëse kryetar i një partie opozitare, duket se me çdo kusht po kërkon ta distancojë veten nga partitë e tjera opozitare. Vetëm në njëzet e katër orët e fundit, janë bërë dy ‘distancime’ domethënëse.

Në një intervistë për KosovaPress, i pyetur nëse e përkrahte idenë e një fronti opozitar, Lumir Abdixhiku u tregua... i rreptë në përgjigje.

“Ne jemi parti të ndryshme. LDK-ja nuk ka lidhje me PDK-në e AAK-në. Aq më pak me parti tjera joparlamentare,” – ishte shprehur ai.

Në fakt, LDK-ja ndan fatin e njëjtë opozitar me të dy partitë e lartpërmendura, ndërsa ndan edhe kritikat e njëjta ndaj Kurtit shpesh edhe ndaj partisë joparlamentare të papërmendur e që është PSD-ja.

Dhe, si duket këto mesazhe të Abdixhikut i mori shumë afër zemrës Paris Guri, kryetar i Forumit Rinor të LDK-së, i cili në llogarinë e tij në Facebook do të shkruante këto fjalë:

"Makthi i pozitës e i opozitës!"

Paris Guri

Në bazë të kësaj, Abdixhiku sipas kreut të të rinjve në LDK nuk është veç makthi i Albin Kurtit, por edhe i Memli Krasniqit, Ramush Haradinajt e Dardan Molliqajt.

Armiqësinë ndër-opozitare duket se e ka nuhatur deri tash vetëm kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, që do të shkruante një përgjigje të rëndë e paksa personale.

“Bëje Asociacionin Albin!” – po thotë Lumiri. Shihe logjikën: e jap këshillën unë, ia hapi rrugën këtij, e bëj edhe një plus kah Dragodani, dhe presim pastaj se ky që po e realizon këshillën time publike do të dëmtohet. Kjo me siguri se nuk është analizë, por ç’të thuash?! Duket se kompleksi “arsyeton” gjithfarë absurdi.”kundërsulmoi Molliqaj.

Deri tash nuk ka ndonjë indikacion se do të përgjigjen në këto deklarata të LDK-së edhe partitë tjera opozitare derisa mundësia e një fronti të përbashkët kundër kryeministrit Kurti duket... e largët.

Abdixhiku në anën tjetër është sulmuar ashpër për deklarimet e tij të fundit nga eksponentë të ndryshëm të partisë në pushtet (Vetëvendosje) për komentet e tij negative ndaj Albin Kurtit.

Kujtojmë se në një sondazh të fundit të përgatitur nga administratorët e Nacionales në Viber, Abdixhiku doli si opozitari më i vlerësuar duke marrë gati 50 për qind të votave.

Lajme të ngjashme