Maja Sandu është heroina e Evropës, jo Vjosa e albinkurtizuar
Për gati gjashtë vjet albinokracie, shqiptarët kosovarë kanë filluar të besojnë me gjithë mend se Kosova është kërthiza e Evropës. Rusia, kudo që sillet e pështillet, gjithë qëllimin e paska si e si t’i bëjë keq Kosovës. Vajmedet, nga kjo penxhere e ngushtë sheh edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Pa e thënë asnjë fjalë për krizën politike që po e ha për së gjalli Kosovën – ku fajtori kryesor është vetë ish-aleati i saj Albin Kurti – ajo e bëri me faj Rusinë, Kinën, Iranin, dhe në fund krejt BE-në. Sidoqoftë, alarme të tilla zor që do të merren parasysh. Tash sa kohë, BE-ja e ka hallin jo te Kosova, por te Moldavia e cila nga çasti-në-çast mund të përfshihet nga flakët e luftës si vend i dobët që fqinjëron me Ukrainën. BE-ja ka pak nerva të merret me makinacionet e Kurtit dhe Vetëvendosjes, kur Moldavia në shtator rrezikon të përlahet nga koalicioni i katër partive pro-ruse që janë besatuar për marrjen e pushtetit. Heroinë e Evropës sot nuk është Vjosa Osmani, por Maia Sandu.
Col MEHMETI
25 gusht 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është bërë sërish kryetitull mediash të huaja.
Bashkëbisedimi i saj i fundit për mediumin polak ‘TVP World’ shfaqi një presidente që pak e hiç dallonte nga ish-kryeministri harrakat, Albin Kurti.
Vendi, të cilit po i luhatet edhe themeli demografik me 1.6 milion banorë, është i fiksuar pas politikave të mëdha dhe skemave grandeske gjeopolitike. Të paktën, ky është impresioni që jepet për një audiencë të huaj me njohje të turbullt mbi Kosovën.
Sipas Osmanit, Rusia kërkon ta destabilizojë Ballkanin, dhe, tok me Kinën e Iranin, ajo është pjesë e një trekëndëshi të së keqes. Ç'zbulim!
“Duket se ne që u rreshtuam me BE-në, qoftë në sanksionimin e Rusisë, qoftë në sanksionimin e Iranit, që janë gjëra që vërtet të nxjerrin nga zona e rehatisë, këto nuk ishin të rëndësishme për BE-në”, tha mes të tjerash Osmani.
Siç edhe mund të merret me mend, ajo pas pak ia dha një rrebeshi me të bërtitura se Serbia po përkëdhelet nga Brukseli dhe kryeqytetet evropiane (sic!)
Të luash kot moralisten
Përtej një performance mediatike, kritikave të tilla zor që iu shkon kungulli mbi ujë.
Sanksionet ndaj Rusisë e Iranit nuk janë çështje e bujarisë së Kosovës, por obligim i patejkalueshëm i cilido shtet mëtonjës për t’u bërë pjesë e BE-së.
Ka diçka që quhet Politikë e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë (CFSP) – e cila përfshin mbështetjen e deklarimeve dhe vendimeve të BE-së (sanksionet, çështja e Ukrainës, etj.), ashtu sikurse edhe besnikërinë e solidaritetin me pozicionet e jashtme të BE-së.
BE-ja vërtet e shuplakoi Serbinë
Anipse në sytë e presidentes dhe stafit të saj me këshilltarë BE-ja po i kreh qimen Serbisë, në të vërtetë Brukseli deri më sot nuk ka dhënë asfarë haberi të mbarë për ‘përparimin’ e Serbisë në rrugën e integrimeve.
Në prill të këtij viti, shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas e shpërfilli Beogradin gjatë vizitës së saj në rajon.
Sipas communis opinio, kjo kishte të bënte me pakënaqësinë e shumëfishtë të BE-së për sa u përket zhvillimeve brenda e jashtë Serbisë.
Kjo u shkallëzua edhe më fort nga pakënaqësia kundrejt politikës së jashtme të Beogradit dhe flirtit të tij me Moskën.
Kritikat u jehëzuan edhe me rastin e miratimit të raportit të fundit për Serbinë në Komitetin për Çështje të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian.
Në raportin e përgatitur nga Tonino Picula, që u miratua me 55 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime, u shqiptuan vërejtje serioze për Serbinë.
Aty u nënvizua se marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë ngrenë shqetësime për orientimin e saj strategjik.
Për këtë arsye, në raport u kërkua nga BE-ja që ta rishqyrtojë shtrirjen e mbështetjes financiare për Serbinë nëse ajo vazhdon të mbështesë ideologji antidemokratike dhe nuk iu bashkohet sanksioneve evropiane dhe politikës së përbashkët të sigurisë.
“Për një kohë tepër të gjatë, Serbia është përpjekur të marrë më të mirën e fondeve të BE-së derisa ka anashkaluar vlerat tona themelore dhe orientimin tonë gjeopolitik. Procesi i zgjerimit është i mbështetur në merita, dhe përparimi i Serbisë mund të ketë ndikim pozitiv në rajon”, kishte theksuar Picula në raportin e tij.
Kosova nuk është shqetësimi, Moldavia po
Gjasat janë minimale që paralajmërimet e Osmanit për ‘rrezikun rus’ ndaj Kosovës të merren seriozisht.
Përveç Ukrainës së përfshirë në flakët e luftës, ndjeshmëria e të gjitha kryeqyteteve evropiane është Moldavia.
Me një popullatë prej 2.3 milionë banorë, Moldavia konsiderohet si shteti i dytë më i varfër në Evropë pas Ukrainës.
Mosfunksionaliteti si shtet, dobësia institucionale, korrupsioni endemik e ndërhyrja ruse kanë bërë që ekonomia moldave të jetë e shpërfytyruar.
Kjo humbashpresë është shëmbëllyer më së shumti në nivelin e lartë të migrimit ku një milion e kusur njerëz kanë ikur në Perëndim në kërkim të një jete më të mirë.
Ç'është më e keqja, ekonomia e ligshtë nuk është i vetmi hall i moldavëve.
Moldavia ka Transnistri, Kosova nuk ka…fatmirësisht
Ç’prej pavarësimit, Moldavia jeton në agoninë e frikës nga separatizmi i elementit rusishtfolës.
Ndonëse ky grup numëron sall 75,300 vetë ose 3.24 për qind të gjithsejtit të popullatës, prej vitit 1991 ai jeton i shkëputur e si ‘shtet më vete’ në të ashtuquajturën Transnistri.
Bashkë me elitat e moçme rusofile, ekzistenca e këtij shteti brenda shtetit e ka përjetësuar rrezikun e një ndërhyrje ruse.
Prandaj, në këto vija përshtrihej deklarata e paradovitshme e kryeministrit moldav, Dorin Recean.
Sipas tij, Moldavia mbijeton vetëm falë rezistencës ukrainase.
Nëse flakët e luftës do të zhuritnin edhe tokën moldave, Kisinau nuk do të ishte në gjendje kurrën e kurrës të bënte të njëjtën rezistencë siç e ka bërë Kivi tash sa vjet.
Maia Sandu – gjetja e një shprese
Një kthesë e shënuar në historinë e Moldavisë konsiderohet përgjithësisht zgjedhja e properëndimores Maia Sandu si presidente e vendit më 2020.
E diplomuar në Harvard dhe me përvojën e të qenit pjesë e Bankës Botërore, Sandu njihet si një nga liderët politikë me staturën më të fortë në historinë 30 e ca vjeçare të pluralizmit në këtë vend.
Shpresa në kursin properëndimor zdriti edhe më shumë me rastin e rizgjedhjes së saj si presidente në vjeshtën e vitit të kaluar. Asokohe, ajo e anashnxori vendimtarisht rivalin e saj pro-rus, Alexandr Stoianoglo.
Vizioni eurocentrik i Sandusë ka bërë që Moldavia ngadalë por sigurt ta thyejë akullin e pashpresës e vendin ta shenjëzojë në hartën evropiane me kërkesën gjithnjë e më të zëshme për t’i lidhur fatet e vendit me Perëndimin.
Ja ç’domethënë të kërcënohesh nga Rusia!
Afërmendsh, presidentja properëndimore moldave është bërë halë në sy për Kremlinin.
Prej vitesh, dezinformacioni, sulmet kibernetike dhe përpjekjet destabilizuese të opozitës së përkrahur nga Rusia janë bërë kërcënim ekzistencial.
Ankthi nuk ka të mbaruar sepse tani në shtator atje pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Muajin që lamë pas, presidentja Maia Sandu akuzoi Rusinë se po planifikon një fushatë të paparë për të ndërhyrë në zgjedhje, ku përfshihen përpjekje në shkallë të gjërë për financime të paligjshme, sulme kibernetike dhe dezinformacion.
“Federata ruse ka për synim ta kontrollojë Republikën e Moldavisë nga vjeshta e tutje”, pati thënë Sandu, duke e cilësuar planin në fjalë si “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë shtetërore, sovranitetin e vendit, dhe të ardhmen evropiane të Moldavisë”.
Para pak kohe, Këshilli i Lartë i Sigurisë identifikoi 10 mjetet kryesore të ndërhyrjes ruse në procesin zgjedhor, ku përfshihen një vlerë prej 100 milionë eurosh në kriptomonedha, imazhe të rreme të sajuara me inteligjencë artificiale, protesta të paguara, ashtu sikurse edhe klerikë të lidhur me Kremlinin.
Ky maskarallëk ishte përdorur edhe gjatë zgjedhjeve të vjetme presidenciale dhe referendumit për anëtarësim në BE – vetë shërbimi moldav i inteligjencës i kishte pikasur këto taktika ruse.
Sipas prokurorëve moldavë, oligarku i arratisur Ilan Shor ka ndihmuar në shpërlarje parash me të cilat synohej blerja e votave përmjet një rrjeti bankash.
28 shtatori – sfida moldave që frikëson Evropën
Ndonëse, të paktën sipas sondazheve, për zgjedhjet e 28 shtatorit Partia për Veprim dhe Solidaritet prin me 27 për qind, peizazhi politik mund të ndryshojë fare lehtë.
Tash së mbrami, katër parti pro-ruse
në Moldavi kanë njoftuar për planin e tyre për të formuar një bllok koalicioni e, kësisoj, për t’i vënë gurë nën rrota vizioneve properëndimore të qeverisë.
Se gjendja është pisk në Moldavi kur bëhet fjalë për punë sigurie, kjo u dëshmua edhe nga takimi në mars të këtij viti mes presidentit francez, Emmanuel Macron dhe homologës së tij, Maia Sandu.
“Moldavia, hapësira ajrore e së cilës rregullisht cënohet nga dronët dhe raketat ruse, duhet të merret edhe me përpjekjet e shfrenuara ruse për destabilizim, duke i shënjestruar veçanërisht institucionet demokratike të vendit tuaj”, kishte thënë Macron.
Çfarë do të duhej të dinte zonja presidente?
Imazhi i Kosovës si avangardë evropiane e rrezikuar or’ e çast nga Rusia ka qenë mënyra jokreative e të bërit diplomaci nga njerëz si Kurti e Osmani.
Sidoqoftë, thirrje të tilla alarmiste nuk janë trajtuar ndonjëherë me seriozitet. Ç’fat!
Megjithë vullnetin politik në Beograd për të destabilizuar Kosovën, vendi ynë nuk i përngjason as Ukrainës me Luhanskun e Donetskin dhe as Moldavisë me Transnistrinë.
Secesionizmi i pakicës serbe kurrënjëherë nuk është shtruar si problem meqë Perëndimi e njohu Kosovën si shtet unik e të imunizuar nga prirjet qendërikëse (centrifugale).
Edhe diskutimet për të ardhmen e një Shoqate Komunash me Shumicë Serbe janë zhvilluar duke skicuar vija të kuqe, ku më e rëndësishmja prej tyre ka qenë garanca amerikane se ky grumbull komunash nuk do të ketë asnjë element që do të shkërbente me Republika Srpskan.
Ndryshe nga Ukraina e Moldavia që kanë në prag Rusinë, Kosova nuk ka as elita pro-ruse e as entitete shtetvrasëse brenda vetes.
Përcaktimi pro-perëndimor është unik e homogjen dhe jo çështje e një përqindje të vogël ku mezi sigurohet një shumicë pro-perëndimore si në rastin e Moldavisë (Atje 50.35% e publikut u deklaruan në mbështetje të anëtarësimit në BE, kurse 49.65%
kundër një hapërimi të tillë).
Derisa në Moldavi aparati shtetëror dhe ai i sigurisë penetrohet anë-e-përtej nga inteligjenca ruse, Kosova ka mbiprani inteligjencash të vendeve aleate dhe vigjilenca është në nivele të paqortueshme.
Përmbledhtazi, Kosova ka një realitet ekskluziv të ndryshëm prej Ukrainës dhe Moldavisë – kjo me gjasë është arsyeja parësore pse ariu rus i fantazive të Osmanit dhe Kurtit nuk është shndërruar në brengë për diplomacitë perëndimore.
Osmani është një hiç, Sanduja një luftëtare për evropianizmin
Vulnerabilitetet e rastit kosovar janë të brendshme, të brendshme dhe vetëm të brendshme.
Imagjinata e dobët politike e Vetëvendosjes krijoi vijimësisht situata armiqësore me Perëndimin, që kulmuan pafalshëm me vënien e sanksioneve të dyfishta.
Fryma e dikurshme e integrizmit evropian pushoi së qeni agjendë shtetërore.
Dikur prijatare me shembullin e saj për konsolidim institucional, Kosova për pesë vite u bë rekord i zi indeksesh e matjesh.
Për më keq, Osmani nuk u etablua asnjëherë si një antipod i Kurtit as si opsion i zbutur i tij, as si opsion i moderuar, dhe as si alternativë. Ajo nuk ishte si Maia Sandu kundrejt Alexandr Stoianoglos.
Në të shumtën e herave, Osmani ishte variant radikal i Kurtit, madje qëndrimeve të tij ua bënte zëdhënësen duke përfituar nga fakti që ajo nuk i kishte dyert e mbyllura si arketipi i saj frymëzues.
Derisa Maia Sandu ka para vetes edhe katër vite në presidencën moldave – vite vendimtare në udhakimin drejt BE-së – Osmani tashmë është e rrëzuar nga fiku.
Një mandat i ri presidencial për të varet nga pazaret e trillet e Kurtit, ndaj përralla e saj për ‘rrezikun rus’ vështirë, shumë vështirë, se do të gjejë blerës jashtë Kosove. /NACIONALE/