LVV e PDK me akuza të rënda për njëra-tjetrën edhe tetë vjet pas rastit Dehari
Janë bërë gati tetë vjet që nga vdekja e aktivistit të VV-së Astrit Dehari në burgun e Prizrenit. Që nga ajo ditë, shumë deklarime publike, shumë akuza, shumë ngjarje rreth këtij rasti, rezultati zero. Kur po hyjmë në vitin e tetë të vdekjes së tij, e në pushtet tash e gati katër vjet qëndron Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ende nuk është zbardhur ky rast në tërësi. Këtë të hënë, kjo temë u rihap nga pikërisht Lëvizja Vetëvendosje e cila akuzoi të madh e të vogël për rastin, e që ia ktheu Partia Demokratike e Kosovës, duke ngritur dyshime se zyrtarë të qeverisë janë të përfshirë në djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e zhdukjen e provave të Deharit, kështu sipas tyre duke penguar zbardhjen e rastit.
Çka ndodhi?
Një konferencë e Lëvizjes Vetëvendosje u ftua për mesditën e sotme. Para Prokurorisë Speciale, partia e cila e ka pushtetin tash e 4 vjet, zgjodhi t’i akuzojë të gjithë për rastin e Astrit Deharit, por jo edhe veten.
Sami Kurteshi në ballë të konferencës, dhjetëra aktivistë e deputetë prapa tij, kishin dalur kinse për të dërguar mesazh para Prokurorisë Speciale.
Fotografitë e pankartat e vendosura në qendër të qytetit.
As në pankarta e banerë, e as nga folësi Sami Kurteshi, zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk u zu fare në gojë. Ky i fundit, akuzoi të gjithë. Thaçin, Veselin, Dhurata Hoxhën, AKI-në, Sylë Hoxhën, Vehbi Kashtanjevën, mediat. Por, nuk e përmendi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ishte dhe është në krye të MD-së, në kohën kur u zhdukën mostrat e Astrit Deharit. I suspendoi disa zyrtarë, por të njëjtit disa ditë më pas u kthyen nëpër vendet e tyre të punës.
Çka tha Kurteshi?
“E kemi ftuar këtë konferencë për media për të treguar në mënyrë kronologjike rastin Dehari, dhe sidomos për veprimet dhe mosveprimet, e prokurorisë së shtetit, themelore dhe speciale, e sidomos mosveprimet e prokurorit special Afrim Shefkiu, që tani e tri vjet e nëntë muaj e ka mbajtur rastin dhe shkon në penzion pa e kryer hetimin për rastin e Dehari”, tha Kurteshi.
Kjo me rastin e pensionimit të prokurorit të këtij rasti, Afrim Shefkiu.
“Më 4 gusht 2016, ndodh sulmi me predhë në ndërtesën e Kuvendit. Ky ishte inskenimi i sulmit të armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit te Kosovës, duke fshehur autorët e vërtetë dhe fajësimi i VV-së me qëllime te caktuara politike. Prej datës 5 gusht 2016 deri me 25 gusht, sipas policisë se Kosovës janë hetuar 4 persona krejtësisht të tjerë. Më 29 gusht 2016 arrestohet Astrit Dehari bashke me 5 aktivistë tjerë të VV-së për këtë sulm”, ka thënë Kurteshi.
“Ky arrestim ndodhi për të parandaluar dhe penguar protestën e opozitës më 1 shtator 2016, para parlamentit të Kosovës kundër Demarkacionit. Me urdhër politik nga maja e shtetit te involvuar ishin AKI, Policia, prokuroria dhe Gjykata, ku prokurori Abdurrahim Islami para pensionimit kërkon arrestimin e aktivisteve, ndërsa urdhrin e lëshon gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, po ashtu pak para pensionimit”, ka thënë Kurteshi.
PDK: Dyshojmë se në djegien e IML-së janë të përfshirë zyrtarë të qeverisë, nuk duan ta zbulojnë rastin Dehari
Koordinatori i Drejtësisë për Qeverisje të mirë nga rradhet e PDK-së Përparim Gruda, përmes një konference për media, ka pasur disa pyetje për pushtetin aktual, sa i përket rastit Dehari.
Kush i zhduki mostrat?, Kush e dogji Institutin e Mjeksisë Ligjore?, Pse mostrat u kthyen brenda kohës sa kamerat nuk funksionuan për shkak të djegies?, këto dhe pyetje të tjera, Gruda i ka drejtuar për pushtetin aktual, në lidhje me rastin Dehari, duke shtuar se një ditë e vërteta do të dalë në shesh.
“Mungesa e përgjigjjeve të këtyre pyetjeve ngrit dyshime për përfshirjen e zyrtarëve të kësaj qeverie, për djegien e IML-së. Kjo u bë me qëllim që rasti të mos zbardhet. Ne i bëjmë thirrje që ky pushtet ta ndal lojën me rastin Dehari, t’i kthehet punës, e ta mbaj premtimit për ta zbuluar deri në fund këtë rast.
Ne ju sigurojmë se një ditë rasti Dehari do të marrë epilog. Përgjegjësit për zhdukjen e mostrave e djegien e Institutit një ditë do të dalin para drejtësisë.” – ka thënë ndër të tjera ai.
Gruda ka përmendur edhe faktin e pengimit nga Vetëvendosje të themelimit të një komisioni hetimor në lidhje me rastin Dehari.