Lumiri e Memli, praktikantë përballë Albin Kurtit
Berat Buzhala
Kryetari i LDK-së dhe kryetari i PDK-së janë sterilë, joinspirues dhe jokreativë. Ata përballë Albin Kurtit më shumë duken si shefa grupesh parlamentare – në rastin më të mirë – se sa si dy politikanë që presin ta marrin pushtetin.
Niveli politik i liderëve të opozitës, posaçërisht Abdixhikut dhe Krasniqit, është nivel i deputetëve, në rastin më të mirë ministrave. Politikisht, relevanca e tyre është e liderëve në bërje e sipër, duke e pasur përballë një bishë politike, siç është Kurti, rrënjët e të cilit janë dikund në vitin 1996/97.
Fjalimet e tyre nuk inspirojnë, e kauzat e tyre janë mediokre. Përveç sulmeve dhe mbllaçitjeve ditore politike, a din dikush të tregojë se çka realisht sollën në publik për 1 vit Abdixhiku e Krasniqi?
Lumir Abdixhiku gjatë gjithë kohës sillet si ministër në hije i financave dhe ekonomisë. Hyni dhe lexoni postimet e tij në Facebook. Ai ka harruar që nuk është më profesor në Riinvest, ndërsa në postimet e tij të fundit ai ose flet për ndonjë simbolikë brenda LDK-së, ose e analizon gjendjen ekonomike në vend. Nuk po them që kjo e fundit nuk është e rëndësishme, por kjo nuk është esenca. Kurti me shumë dëshirë do ta mbante Abdixhikun vetëm në këtë valle.
Memli Krasniqi në anën tjetër është krejtësisht joinspirues. Asgjë nuk ka ndryshuar në profilin e tij politik, si në kohën kur ai ka qënë deputet, si në kohën kur ai ka qënë ministër, si në kohën kur tash ai është kryetar i partisë. Vazhdon të mbetet i njëjti politikan, i rrafshët. Dëshmitar i kësaj gjendje janë pëlqimet që i merr në Facebook. Secili analist mesatar pëlqehet më shumë se sa Krasniqi. Nuk po them që llajkat janë gjëja më e rëndësishme në botë, por mungesa e tyre për një kryetar të partisë është brengosëse.
As Abdixhiku e as Krasniqi nuk kanë vizion e as koncept për raportet e Kosovës me Serbinë, e as me botën, nuk kanë vizion as koncept për problemin e veriut, e nuk e dinë as çfarë duhet të bëjmë me Shqipërinë, në kohën kur raportet e Kosovës me ketë shtet janë në nivelin më të ulët që prej vitit 1948. Nëse rastësisht kanë ndonjë vizion, e që unë nuk po e shoh, ai është i ngjashëm me atë të Kurtit, gjë që në politikë nuk vlen as pesë pare.
A e mbani mend Albin Kurtin në opozitë? Ose a e mbani në mend Hashim Thaçin në opozitë, fill pas përfundimit të luftës e deri në vitin 2007? Energjia që ata e kanë liruar gjatë kohës kur ishin në opozitë ka qënë e frikshme. Pushteti dukej i pafuqishëm përballë tyre. Më të rëndësishëm dukeshin Kurti e Thaçi si opozitarë, se sa ata që ishin në pushtet gjatë asaj kohe.
Kurse aktualisht Kurti është i pakonkurencë. Në qeverisje mediokër, por politikisht në tjetër nivel. Kuvendi, përballë tij, po duket si një klasë politike, ku marrin pjesë disa entuziastë që kanë prirje dhe ambicie politike. Foltorja e Kuvendit ngjason më shumë ne një teatër, ku dalin disa nxënës dhe i recitojnë fjalimet e tyre, se sa një hapësirë ku flasin ata që në të ardhmen pritet ta marrin pushtetin.
Fatkeqësisht as vetë Abdixhiku e Krasniqi nuk janë të bindur që një ditë, brenda këtij shekulli, do të fitojnë kundër Kurtit. Shpresa e vetme e Abdixhikut për të ardhur në pushtet, është që “këta të huajt” do ta rrëzojnë Kurtin, kurse këtij do t’i vijë radha, ndërsa shpresa e Krasniqit është që një ditë Haga do ta lirojë Hashim Thaçin e “ai ka me jau kallxu qefin këtyne”.
Këto dy opsione mund edhe të jenë reale, por janë të ndërlidhura me faktorë të tretë, të cilët vështirë se kuantifikohen. Çka nëse Kurti vendos që të bëhet djalë i mirë dhe të mos i tensionojë raportet me “këta të huajt”, siç po bën tash me zgjedhjet serbe në Kosovë, ku siç po duket po e zbut qëndrimin e tij. Çka nëse Thaçi vazhdon të mrizojë në Hagë edhe për disa vjet?
A do të thotë që krejt plani opozitar mbytet në ujë?
Nuk janë krejt identikë me njëri tjetrin, Lumiri e ka një përparësi krahasuar me Memlin, por sido që të jetë, të dy këta duken më shumë si kryetarë të dizajnuar sesa figura politike të mirëfillta dhe me kauzë. Këta të dy janë aty sepse u ka rënë hise që të jenë aty, më shumë se sa që kanë punuar të jenë aty. Dallimi i Memlit me Lumirin, me deputetët tjerë në grupet respektive parlamentare është minimal.