Lufta e ftohtë me Këshillin Prokurorial, e kandidatit që po synon të bëhet Kryeprokuror
Konfiskimi i pasurisë së paligjshme sidomos pas ardhjes në pushtet të qeverisë Kurti 2, ka qenë njëra nga temat kryesore. Madje, për këtë Ministria e Drejtësisë ka hartuar edhe Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë. Këtë dikaster në kuadër të sistemit prokurorial e ka drejtuar Shqipdon Fazliu, si koordinator kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike. Fazliu tash është në garë për Kryeprokuror të Shtetit.
Në 7 vjetët e fundit, vlera e konfiskimit të pasurisë së paligjshme është vetëm 3.5 milionë euro. Këto statistika janë prezantuar nga vetë koordinatori kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike në kuadër të Prokurorisë, Shqipdon Fazliu. Kurse, vlera e sekuestrimeve dhe ngrirjeve të pasurisë përgjatë kësaj kohe, kap shumën e 180 milionë eurove.
Megjithatë, në krye të kësaj njësie mjaft të rëndësishme, Shqipon Fazliu mund të mos mbetet gjatë, nëse arrin të dalë fitues në garën për Kryeprokuror të Shtetit. Ai është pjesë e sistemit prokurorial të Kosovës që nga viti 2010, fillimisht në Prokurorinë e Gjilanit për të vazhduar më pas në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Duke komentuar nismën e qeverisë Kurti 2 për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Fazliu vlerësoi se konfiskimi civil pa aktgjykim dënues, është krejtësisht në rregull. Madje, u shpreh se një ide të tillë, ai vetë e kishte dhënë që nga viti 2014, duke i dalë në mbështetje kështu iniciativës nga Ministria e Drejtësisë, me në krye Albulena Haxhiun.
Pakënaqësia me Fazliun dhe kërcënimi për dorëheqje
Një takim i Këshillit Prokurorial i mbajtur më 1 mars të vitit 2019, kishte kaluar me shumë tensione. Aty kishte raportuar koordinatori për luftimin e krimeve ekonomike, tash kandidat për kryeprokuror, Shqipdon Fazliu. Me raportimin e këtij të fundit, shprehën pakënaqësi anëtarët e KPK-së, sipas të cilëve ky dikaster në kuadër të Prokurorisë, nuk ka treguar efikasitetin e kërkuar për luftimin e krimit ekonomik. Madje, sipas deklaratave të anëtarëve të KPK-së në atë kohë, Fazliu duhet të zëvendësohet.
Kjo bëri që Fazliu, të kërcënojë edhe me dorëheqje, duke e lëshuar takimin para se ai të përfundojë. Pas këtyre zhvillimeve, dorëheqja nuk ndodhi. Por, për disa muaj me radhë Shqipdon Fazliu nuk kishte shkuar për të raportuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Pakënaqësitë e tilla, kishin bërë që Fazliu të ishte kritikë për sistemin gjyqësor, sidomos për rastet e profileve të larta. Në një diskutim, Fazliu kishte kritikuar gjyqtarët se po i hedhin aktakuzat e ngritura nga Prokuroria, vetëm kur kanë të bëjnë me raste të profilit të lartë.
Pasuria e Shqipdon Fazliut
Tri banesa, tokë dhe shtëpi i ka të deklaruara në Agjencinë kundër Korrupsionit, Shqipdon Fazliu. Dy banesa i ka raportuar se janë personale të tij, kurse një shtëpi, parcelë toke dhe një banesë, i ka deklaruar si familjare. Në total, vlera e përgjithshme e pasurisë së paluajtshme që ka Shqipdon Fazliu, kalon vlerën e 500 mijë eurove.
Ai vozit një veturë të deklaruar familjare të tipit Opel Astra, me vlerë 6 mijë e 500 euro. Kurse, mbi 10 mijë euro i ka raportuar se i ka të kursyera në një nga bankat vendore. Paga vjetore e Fazliut, shkon në gati 30 mijë euro.
Gazeta Nacionale ka publikuar më herët edhe profilet e kandidatëve tjerë për Kryeprokuror: Kujtim Munishi, Arben Ismajli, Armend Hamiti e Lulzim Sylejmani.
Kandidati i radhës dhe i fundit për Kryeprokuror për të cilin do të raportojë Gazeta Nacionale, është Blerim Isufaj.