LSDM e VMRO kapen mes vete: “Ju e humbët identitetin maqedonas”
3 korrik 2025 – Heqja e formulimeve për gjuhën dhe identitetin maqedonas është pasojë e qasjes supremaciste të kryeministrit, Hristijan Mickoski.
Me anë të një reagimi, LSDM ka kritikuar ndryshimet e bëra në draft-rezolutën e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut me të cilat, sipas saj, është vënë në dyshim gjuha dhe identiteti maqedonas.
Partia më e madhe opozitare nga kampi maqedonas ka theksuar se armiku më i madh i gjuhës, kulturës dhe identitetit maqedonas është Mickoski.
“Për shkak të interesave të ngushta politike, ai e rihapi debatin për gjuhën maqedone në Parlamentin Evropian – një çështje që ishte e mbyllur,” thuhet në reagimin e kësaj partie opozitare.
“Mickoski nuk mund ta drejtojë gishtin te askush për disfatën që Maqedonia po e përjeton sërish në Bruksel. Është ai dhe miku i tij Andrej Kovaçev, me të cilin bashkëpunoi për ta bllokuar perspektiven evropiane të qytetarëve maqedonas, që duhet të fajësohen për këtë gjendje.”
Në reagim thuhet se LSDM kishte korrur fitore në Bruksel me Kuadrin Negociues në të cilin maqedonishtja përmendej, ashtu sikurse edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes FRONTEX ku përmendej maqedonishtja pa mbiemra, fusnota apo asteriska.
“Ishte një fitore e qartë për Maqedoninë dhe qytetarët, të cilën Mickoski nuk e njohu. Ai qe i zhgënjyer, i heshtur dhe nuk u gëzua – tani është e qartë arsyeja.”
LSDM, më tej, ka akuzuar kryeministrin Mickoski se në rrethanat kur nuk ka asgjë për t’u mburrur për një vit në pushtet, “vendosi ta kthejë fitoren në humbje.”
“Mickoski po e shtyn Maqedoninë në humnerën e krimit, korrupsionit dhe arbitraritetit, duke ia vjedhur vendit të ardhmen evropiane,” thuhet mes të tjerash në reagim. /Nacionale/