“Llugë” në Maqedoni: Mexhiti e akuzon Ahmetin për arrestimin e Blerim Ramadanit, LSDM-ja Mickoskin për lirim
Javën e kaluar, Blerim Ramadani, ish-ushtar i UÇK-së në Kosovë, ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut, ku po mbahej në arrest shtëpiak në pritje të një vendimi për ekstradimin apo jo në Serbi. Kjo arratisje është bërë temë politike në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët jetojnë në një numër të konsiderueshëm. Gjatë ditëve të fundit, posaçërisht sot, ka pasur akuza e fajësime ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Duke folur për rastin e Ramadnait, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka pasur akuza ndaj opozitar Ali Ahmetit, kryetarit i BDI-së. Sipas Mexhitit, “prokurorët dhe gjykatësit” e Ahmetit kanë punuar që Ramadani të ekstradohej në Serbi, i cili shtet e kërkonte ish-ushtarin e UÇK-së.
“Ajo që është tejet e rëndësishme, është që këto i përmbahen parimit, natën vrasin ditën të qajnë. Pra, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar që ushtari i UÇK-së, në këtë rast Blerim Ramadani, t’i dërgohet Daçiqit në Serbi që këta këtu të kenë pretekst për protesta dhe destabilizim të situatës. Pra, këta nuk e kanë dertin e ushtarit të UÇK-së, këta e kanë dertin e pretekstit e kauzës për ta destabilizuar situatën, për ta shpëtuar lëkurën e vet nga proceset që i presin për shkak të korrupsionit të madh që kanë bërë viteve të kaluara. Këta kanë shkruar në ekstrem, nuk di çka kanë dashur. Sikur kanë dashur të ekstradohet ushtari në Serbi duke i fërkuar duart që të ketë arsye për protesta. Pra, edhe një herë e potencoj, prokurorët dhe gjykatësit e Ali Ahmetit në vazhdimësi kanë punuar kundër ushtarit të UçK-së. Nuk mund të shihet ndryshe, kur e dimë që gjykata supreme ka 4-5 gjykatës të BDI-së, të afërt, dhe të njejtit për rastet tjera kanë sjellë vendim që nuk ka bazë dhe duhet të lirohen ndërsa tash gjykata supreme e rikthen rastin në rishqyrtim, ku shimca e gjykatësve aty janë shqiptarë dhe kryesisht të afërt me Bashkimin Demokratik”, tha Mexhiti për gazetën Lajm.
Me këtë temë sot është marrë edhe partia më e madhe opozitare, LSDM-ja. Kjo parti opozitare maqedone e ka fajësuar Qeverinë e Maqedonisë së Veritu, që udhëhiqet nga kryeministri Hrsitijan Mickoski, për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së.
Sipas LSDM-së, Ramadani nuk është arratisur, por është liruar nga pushteti aktual në Maqedoninë e Veriut.
“E pyesim se si Mickoski pa hetim dhe pa asnjë informacion nga MPB se si ka ikur Ramadani thotë se LSDM po gënjen”, ka thënë zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, e cila shtoi se arratisja e Ramadanit është marrëveshje politike, të cilën Mickoski e ka pasur patjetër ta respektojë, transmeton Telegrafi.
“Nëse nuk bëhet hetim i plotë, hetim thelbësor dhe i pavarur, do të jetë e qartë se edhe autoritetet edhe prokuroria kanë vendosur ta mbrojnë MPB-në dhe Toshkovskin nga përgjegjësia, për t’i mbrojtur të gjithë të tjerët të përfshirë në këtë rast, pra porositësit dhe ato që kanë dhënë urdhëra. Ministri Toshkovski të japë dorëheqje dhe të shkarkojë të gjithë ata që i ka emëruar në kufirin me Kosovën, duke filluar nga Naim Ramuka. Vetëm atëherë do të ketë kushte për hetim të pavarur pa presion. Kërkojmë deklasifikimin dhe publikimin e menjëhershëm të pamjeve nga pika kufitare Bllacë. Të shohin qytetarët se cila është e vërteta, kush është sherifi i kufirit. Prokuroria dhe autoritetet hetimore mund t’i kontrollojnë shumë lehtë përmes kamerave dhe përmes sistemit të kontrollit të pasagjerëve në kufi”, tha tutje Kuzeska.
Sjellim ndër mend që disa javë më parë Ramadani ishte arrestuar në Maqedoni të Veriut për shkak të një fletarresti të Interpolit, që ishte lëshuar me urdhër të Serbisë. Për këtë çështje, vetë Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë, kishte qëndruar në Maqedoni të Veriut, ku kishte deklaruar se priste që Ramadani të ekstradohej në Serbi.