Lituania dërgon paqeruajtës në Kosovë - NACIONALE

Lituania dërgon paqeruajtës në Kosovë

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Rreth 40 ushtarë lituanë pritet të vendosën në Kosovë duke u bërë pjesë e personelit paqeruajtës të KFOR-it.

Kjo është bërë e ditur pasi Seimas (Parlamenti lituan – v.j) ka miratuar draft amandamentin e një rezolute me anë të së cilës parashihet rritja e numrit të ushtarëve dhe punonjësve civilë në kuadër të misionit të NATO-s, përcjell Nacionale.

“Nëse do të shtohet ky numër, një togë shtesë, me rreth 40 ushtarë, do t’i bashkohet kontigjentit gjerman. Kemi pranuar një kërkesë prej ministrit gjerman të Mbrojtjes”, ka deklaruar ministrja lituane e Mbrojtjes Kombëtare, Dovilė Šakalienė, gjatë një seance dëgjimore në parlament.

Sipas saj, kjo është mënyra e bashkëpunimit me partnerët strategjikë të Lituanisë dhe fuqizimit të marrëdhënieve jo vetëm me Gjermaninë, por edhe me vendet e tjera të NATO-s, të cilat i kanë shtuar forcat e tyre në mision që prej 2023-s.

“Kjo do të na mundësojë jo vetëm të mbajmë kontributin e tanishëm të Lituanisë, por edhe t’iu përgjigjemi shpejt rrethanave të papritura. Planifikohet që grupi i parë i ushtarëve të dërgohet në tetor të këtij viti për një rotacion 6-mujor”, ka vënë në dukje ministrja Šakalienė.

Në shënimin shpjegues të draft rezolutës lituane thuhet se numri i gjithëmbarshëm i forcave të NATO-s në misionin e saj në Kosovë është rreth 4300 ushtarë.

“Nga këta, më shumë se 800 ushtarë vijnë nga Italia, 600 nga ShBA. Më 2024, edhe Gjermania ka shtuar ndjeshëm kontigjentin e saj ushtarak në këtë mision, dhe tani ka rreth 300 ushtarë. Kontributi i tanishëm i Lituanisë në këtë operacion ndërkombëtar është një ushtar që shërben në njësinë e logjistikës në zyrat e këtij misioni në Prishtinë”, thuhet në dokumentin lituan.

Pas dëgjimit, 108 anëtarë të Seimas votuan më favor të këtij projekti. Ata duhet të votojnë përsëri që rezoluta në fjalë të miratohet.

Ndryshe, edhe vendet e vogla kontribuese në KFOR vazhdojnë t’i mbajnë kontigjentet e tyre në këtë mision.

Në fund të muajit të kaluar, edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Armenisë siguroi që ushtarët e saj paqeruajtës do të qëndrojnë në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka gjithsejt 4686 ushtarë paqeruajtës nga plot 29 vende anëtare ose mike. /NACIONALE/

Lajme të ngjashme