Lista Serbe mbështet Vuçiqin, kritikon opozitën në Serbi: Asociacioni e vetmja fije shprese
Pas takimit të djeshëm të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Lista Serbe ka dalë më një reagim në mbështetje të Vuçiqit dhe në kritikë të opozitës serbe.
Sipas medias serbe në Kosovë, Kossev, Lista Serbe ka kritikuar opozitën duke thënë se nuk janë përkrahës dhe duan vetëm “karrigen”.
“Në vend që të jenë përkrahës për vendin dhe popullin e tyre, ata zgjedhin të shikojnë nga anash se si të fusin duart në karrige dhe t'i vënë edhe më shumë barrë në shpinë Aleksandër Vuçiqit,”- citohet të ketë thënë Lista Serbe.
Kujtojmë se opozita në Beograd e kritikoi ashpër presidentin e Serbisë duke e akuzuar për “tradhti” dhe “njohje të pavarësisë së Kosovës”, por Lista Serbe i doli në mbrojtje fuqishëm, duke kritikuar në veçanti përfaqësuesit e opozitës - Bogdanoviq, Rada Trajkoviq, Boshko Obradoviq dhe Millosh Jovanoviq.
“Pasi kuazi-opozita në Beograd humbi shpresën se presidenti Vuçiq do të nënshkruante kapitullimin dhe do të dorëzonte Kosovën dhe Metohinë, tani në vend të faljes, Goran Bogdanoviq, i cili jeton në Beograd, i cili në mënyrë të rreme paraqitet se jeton në Leposaviq, Rada Trajkoviq që jeton në Savski Venac dhe paraqitet si përfaqësuese e serbëve nga Kosova e Metohia, Boshko Obradoviq, i cili rrejshëm paraqitet si patriot dhe bën gjithçka kundër interesave të popullit serb, Millosh Jovanoviq, i cili rrejshëm paraqitet si serb, por fsheh se edhe ai është francez dhe të gjithë si ata vazhdojnë të gënjejnë dhe sulmojnë presidentin Vuçiq dhe nuk kanë asnjë fjalë për të thënë kundër Kurtit, apo atyre që krijuan dhe mbështesin fuqishëm Kosovën e pavarur,”- thuhet më tej në mesazhin e Listës Serbe.
Lista Serbe më tej e ka quajtur Asociacionin si të vetmen fije shprese për serbët ne Kosovë, ndërsa i ka ofruar mbështetje presidentit Vuçiq për “të vazhduar luftën për formimin e Asociacionit” dhe për "të pasur një institucion ombrellë të popullit serb".

