Srpska “do të dënohet” nëse thërrasin për bojkot të regjistrimit të popullsisë, thotë drejtori i ASK-së
Regjistrmi i popullsisë (censusi) është i obligueshëm dhe askush s’ka të drejtë të thërret për bojkot – por edhe mospjesëmarrja në të apo refuzimi është i dënueshëm deri në dy mijë euro, ka thënë drejtori i Agjencisë së Stastistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një intervistë për emisionin serb “Slobodni Srpski”.
Kastrati këto pohime i bëri edhe në dritën e refuzimeve dhe thirrjeve të Listës Serbe ndaj komunitetin serb për të bojkotuar procesin shtetëror të regjistrimit të popullsisë.
“Çdo qytetar që jeton në Kosovë duhet të jep informacione për vete dhe familjen e tij. Nëse nuk i/e japin, do të ketë dënime për të gjithë dhe jo vetëm prë familjen. Maksimumi i gjobës është rreth dy mijë euro”, ka thënë Kastrati.
Për më tepër, Kastrati shpjegon se po qe se personi nuk është fizikisht prezent gjatë procesit të regjstrimit, atëherë të njëjtët duhet të lënë informacionet te familja e tyre që ta regjistrojnë ata.
Pyetur rreth thirrjes së Listës Serbe, drejtori i ASK-së thotë se “askush nuk ka të drejtë të thërret për bojkot, sepse censusi nuk është zgjedhje”.
“Nëse Lista Serbe ka dalë publike dhe ka thënë se po bojkotohet regjistrimi, do të dënohen, sepse nuk ka zgjidhje. Nuk mund të thuash do, nuk do”, thotë Kastrati, duke përsëritur se nuk ka mundësi për shtyrjen e regjistrimit për një datë tjetër.
Në rast se serbët nuk regjistrohen, vlerësimet do të bëhen pas gjashtë muajsh.
"Nëse nuk janë të regjistruar, nuk mund të themi sa njerëz janë të regjistruar. Do të japim një vlerësim më vonë. Vlerësimi do të bëhet pas 6 muajsh. Por kur njerëzit nuk marrin pjesë në regjistrim, nuk mund të themi se sa serb jetojnë (në Kosovë), tha ai.