Lista Serbe bojkotoi çvotimin e kryetarëve shqiptarë sepse “nuk i kanë 50%, kaq e thjeshtë” - NACIONALE

Lista Serbe bojkotoi çvotimin e kryetarëve shqiptarë sepse “nuk i kanë 50%, kaq e thjeshtë”

3 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Lista Serbe bojkotoi referendumin për çvotimin e kryetarëve shqiptarë në veri sepse e panë që nuk mund t’i nxjerrin 50% (+1) të votuesve të regjistruar serbë. Kjo është arsyeja e përnjëmendtë se pse Lista Serbe doli sot në konferencë për media dhe njoftoi “bojkotin” e një procesi që e kishin nisur vetë me peticion.

Kështu, përmbledhtazi, tha për Nacionalen politikani serb nga Leposaviqi, Aleksandar Jabllanoviq, pyetur rreth këtij vendimi të Listës Serbe, të cilët, krejt befasisht dolën njoftuan bojkotimin e referendumin, nismë të cilin e organizuan me mbledhjen e nënshkrimeve të 20% të votuesve të regjistruat në veri për shkarkim të kryetarëve pas thirrjes së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"Pse?", e pyetëm Jabllanoviqin. “Sepse s’mund t’i vjedhin më votat si dikur”, u përgjigj ai.

Lista Serbe s’po mundet t’i shtyjë 50% të serbëve të votojnë. Ata tradicionalisht i kanë vjedhur votat serbe. Dhe tash, kushtet kanë ndryshuar dhe s’po munden më t’i vjedhin. Kaq e lehtë. Kjo është edhe arsyeja pse s’po mund t’ia dalim me referendum. Kjo është fakti, e vërteta, krejt e dinë këtë, që 99% e votave s’mund t’i marrin”, ka thënë Aleksandar Jabllanoviq.

Për këtë skizëm edhe/edhe, Jabllanoviq e ka të qartë lojtën e dyfisht, kur na thotë se ishin vetë Lista Serbe “që e pranuan këtë procedurë (referendumi) kur e nisën peticionin”.

Mendoj se diçka tjetër ka aty, prapa kësaj, mendoj se Lista Serbe e pa në terren sinjalin se serbët nuk i pranojnë më ata”, na tha ai.

Nacionale: Pra, po thoni si mekanizëm mbrojtës për të fshehur dështimin e grumbullimit të njerëzve për të çvotuar kryetarët?

Jabllanoviq: Po...sepse pse u bë tash që e paskan problem t’i bëjnë 50%?

Pyetur se a i bashkohet “bojkotit” të referendumit, Jabllanoviq thotë se që nga fillimi s’e kanë mbështetur dhe se kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarëve.

Jam ndryshe nga Lista Serbe. Qëndrimi im është që kryetarët duhet të dorëhiqen. Sepse kryetarët me aq pak vota s’kanë legalitet. Unë insistoj që Lista Serbe duhet të humb pushtetin mbi procesin zgjedhor. Kjo situatë që e kemi në veri është rezultat i vendimeve të gabuara nga Lista Serbe dhe Qeveria e Kosovës”, tha ai.

Kurti s’do t’i humb kryetarët në veri para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Sepse kjo me kryetarët, dhe bazat e policisë, është krejt çka ka t’ju ofrojë shqiptarëve, dhe po e humbi këtë, e humb edhe mbështetjen e shqiptarëve”, shtoi mes tjerash ai.

Referendumi për çvotimin e kryetarëve shqiptarë në veri “do të dështojë”, beson në plotni edhe politikani opozitar serb nga Mitrovica e Veriut, Stefan Veljkoviq.

Veljkoviq – kundërshtar i ashpër i Listës Serbe, dhe një nga zërat opozitarë më vokalë prej serbëve të Kosovës – pas thirrjes së LS-së për bojkot të referendumit, ndonëse rikujton se në mesin e serbëve ajo parti “e ka humbur kredibilitetin qëmoti” megjithatë na thotë se qysh para një muaj e gjysmë s’kanë parë prospekt se ky referendum mund të realizohet.

Pyetur se a i bashkohen si forcë politike thirrjes së Listës Serbe për të bojkotuar referendumin, Veljkoviq thotë se “jo”; derisa vazhdon dyshimet e tij ndaj procesit.

Shikoni, pozicioni jonë i vetëm është që ky referendum s’do të jetë fer dhe qytetarët duhet të vendosin vetë (se a dalin ose jo në referendum) dhe jo të na lënë neve apo dikë tjetër t’ju tregojnë se çfarë të bëjnë”, tha ai për Nacionale.

Por, nisën këtë ‘iniciativë qytetare’, këtë peticionin, që sigurisht se ishte i sponzorizuar nga ta, nga Lista Serbe. Ne e dinim që diçka e tillë do të ndodhte, dhe paralajmëruam para një muaj e gjysmë, e gjeni në uebsajtin tonë. Referendumi do të dështojë”, shtoi mes tjerash ai.

Lajme të ngjashme