Limaj: S'duam të jemi pjesë e qeverisë, jemi të gatshëm me ndihmu për t’i ndërtuar institucionet
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në zgjidhjen e bllokadës institucionale që po zgjat prej më shumë se katër muajsh.
Në një intervistë për A2 CNN, Limaj tha se subjekti i tij është i gatshëm të ofrojë tre votat në Kuvend për të ndihmuar në formimin e institucioneve, pa kërkuar ndonjë përfitim politik apo poste qeveritare.
“Ne nuk jemi të interesuar që të jemi pjesë e qeverisë. Nuk jemi të interesuar ta zëmë një pozicion duke shfrytëzuar momentin që kemi. Nuk duam të jemi pjesë e qeverisë. Krejt çka ne duam aktualisht dhe jemi të gatshëm me ndihmu, është partneriteti në Kuvend dhe ta mbështesim shumicën për t’i ndërtuar institucionet dhe për të dalë Kosova nga kriza.” – tha Limaj.