Limaj: I papranueshëm zëvendësimi i policisë në veri me KFOR-in
Kryetari i Nismës ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë duke thënë se KFOR-i nuk mund të zëvendësohet me Policinë e Kosovës.
Limaj për Ekonomia Online ka thënë se janë të papranueshme për të dhe se KFOR-i nuk duhet të marrë rolin e policisë.
“Këto janë sinjale për mua shqetësuese. Së pari, shtimi i numrit të forcave të KFOR-it është i mirëseardhur deri aty ku ata nuk e ndryshojnë rolin e vet që e kanë. Policia e Kosovës në aksion ka treguar që jo vetëm që ka aftësi por ka profesionalizëm mbi të gjitha për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet. Kosova nuk ka nevojë për një forcë të KFOR-it që luan rolin e policisë sepse Kosova e ka policinë e vet dhe KFOR-i në asnjë rrethanë nuk duhet ta merr rolin e policisë." - ka thënë Limaj.
Ai ka thënë se duhet pasur kujdes nga arroganca dhe t'i ikë entuziazmit.
“Për të ardhmen edhe për të ardhmen e asaj pjese të territorit dhe mënyrës se si do të përmbyllet. Kjo tashmë ka kaluar në një fazë tjetër. Besoj se të dielën status-quoja është mbyllur e është hapur një fazë e re e agresionit, prandaj edhe Kosova duhet t’i ndryshojë politikat e saj. Duhet të ketë një qasje krejt ndryshe në raport me atë pjesë, Serbinë por edhe me faktorin ndërkombëtar. Kosova më shumë se kurrë duhet të tregojë pjekuri, maturi. Politika kosovare është në testin e fundit për të treguar shkathtësi, seriozitet me angazhimet e veta. Qeveria duhet të ketë kujdes nga arroganca, duhet të ikë nga entuziazmi që mund ta mbytë atë por të punojë fortë e ta ndërtojë një pozicion të favorshëm për Kosovën në tavolinën e bisedimeve, e këtë rast ia ka dhënë Policia e Kosovës." - ka thënë ai.