Ligjërata në kohë sanksionesh: Pas Athinës, Bledi – Çka po bën Albin Kurti? - NACIONALE

Ligjërata në kohë sanksionesh: Pas Athinës, Bledi – Çka po bën Albin Kurti?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës s’po largohen që s’po largohen pavarësisht zmbrapsjes së Qeverisë së Kosovës. Por, siç thotë fjala e urtë popullore: kur nuk ke çka bën, luaje derën! E Kurti, po e luan. Çka po bën tash në Bled?

Në konceptin e Forumit Strategjik të Bledit thuhet se ne po jetojmë tashmë në një botë të definuar nga polikrizat. Pra, në një botë ku shumë kriza ndodhin përnjëherë. Përmendet Covidi. Përmendet agresioni rus në Ukrainë. E kështu me radhë.

“Populizmi, nacionalizmi dhe regjimet autokratike vazhdojnë të marrin fuqi – dhe do të vazhdojnë përveç nëse sillen përpara ide të reja e të freskëta për të ardhmen.”thuhet mes tjerash në prezantimin e konceptit. Veç sa për të thënë diçka? Ndoshta.

Albin Kurti sipas nesh është edhe populist e edhe nacionalist. Ndërkohë, sa për ide të reja, le ta harrojnë. Ai thjesht do të përsëris e do të përsëris e do të përsëris ato që jemi mësuar t’i dëgjojmë tash e sa kohë.

Albin Kurti ishte sot në një panel me kryeministrin shqiptar Edi Rama, atë të Malit të Zi Abazoviqin, kryeministren serbe Ana Bërnabiq, kryeministrin slloven Robert Kolob, kryeministrin e Kroacisë e kështu me radhë.

Tema nuk është bërë e ditur.

Por, dihet se në këtë forum Kurti shkoi pasi mori pjesë edhe në ngjarjen e Athinës ku i zgjati dorën presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy pa arritur që ta mbante një takim me të. Siç kishte bërë Vuçiqi.

Në Bled po merr pjesë edhe ministrja Donika Gërvalla e zv. ministri i Ekonomisë Getoar Mjeku.

Po marrin pjesë edhe studentë. Po merr pjesë edhe aktivistja sllovene Nika Kovaç, për të cilën një gazetë nga ky shtet raportoi se po ashtu ishte financuar nga para të Martin Berishajt.

A i duhet diçka Kosovës ky forum?

Nuk e besojmë. Kosovës do t’i duheshin më shumë vizita bilaterale, të tilla që aktualisht nuk po i bën kryeministri Kurti. Në vend se ta forcojë vendin diplomatikisht, ai po vazhdon të sillet me kryeneçësi derisa vendi vazhdon të vuajë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura para më shumë se dy muajsh.

Një kritikë sot për këtë çështje e pati edhe ish-zv. ministri Petrit Selimi.

“Diplomacia jonë tash është reduktuar në pjesëmarrjen nëpër panele ex officio të seminareve e samiteve multilaterale.”tha ai.

Dhe, ka të drejtë. Kurti nuk ka arritur dot të dalë nga kjo mënyrë e diplomacisë. Vitin e kaluar ishte bërë edhe më evidente se ndonjëherë tjetër se Kurti po udhëtonte tepër shpesh jashtë vendit. Simpoziume, varrime, samite, forume, konferenca etj. Shumë e shumë sosh. Çfarë rezultati dhanë?

Siç e dimë, Serbia u favorizua edhe më shumë ndërsa Kosova u qortua rëndë e bile edhe u sanksionua nga miqtë e saj më të mëdhenj.

Çka po bën atëherë Kurti në këto takime?

Lajme të ngjashme