Liderët e politikës urojnë Kurban Bajramin, bëjnë thirrje për solidaritet - NACIONALE

Liderët e politikës urojnë Kurban Bajramin, bëjnë thirrje për solidaritet

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Besimtar myslimanë në Kosovë dhe gjithë botën, po e kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit.

E në ditë si kjo, urime të shumta vijnë nga të gjitha anët, përfshirë edhe skenën politike.

Presidentja e Kosoës, Vjosa Osmani, qysh në mëngjes nëpërmjet një mesazhi ka uruar të gjithë qytetarët që e festojnë Kurban Bajramin.

“Uroj që Kurban Bajrami të kremtohet e përjetohet në mënyrën më të mirë të mundshme në të gjitha familjet tuaja”, ka thënë Presidentja Osmani.

E para e vendit ka thënë se festat si kjo mbajnë gjallë jo vetëm shpresën, por edhe shpirtin solidar.

“Festat si kjo mbajnë gjallë jo vetëm shpresën, por edhe shpirtin solidar për t'i mbështetur njerëzit në nevojë në këtë kohë sfiduese. Paqja, shëndeti, mirësia e begatia qoftë me ju dhe familjet tuaja!”, thuhet në urimin e Presidentes Osmani.

Urim qysh pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, ka pasur edhe kryeministri Albin Kurti, duke kërkuar solidaritet e begati.

“Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin, festën e sakrificës. Me synim tjetrin e jo veten, në këtë ditë rikujtojmë mësimet hyjnore për t’u treguar bujarë e zemërgjerë, sidomos me skamnorët, jetimët, të dobëtit dhe të vetmuarit. Uroj që kjo festë të sjellë paqe e lumturi në zemrën e secilit e solidariteti të jetë udhërrëfyes i përhershëm”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.

Një urim për qytetarët e ka pasur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Bajrami i Kurbanit është një traditë shpirtërore islame e cila shënon kulmin e pelegrinazhit dhe sakrificën e besimtarit. Kjo festë është një rast i veçantë për të reflektuar mbi vlerat e larta të flijimit, shërbimit, dhembshurisë, bamirësisë dhe për të ndihmuar ata që kanë më pak. Sakrifica e vërtetë sugjeron që të vendosim nevojat e tjetrit mbi tonat, dhe, nëse është e nevojshme, të heqim dorë nga ajo që është e rëndësishme për ne për të mirën e të tjerëve”, ka shkruar Konjufca.

Urimet e partive opozitare

Qytetarët për Kurban Bajram i kanë uruar edhe partitë në opozitë. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo festë e rrit angazhimin për të punuar në të mirën e vendit.

“Uroj, në veçanti, të gjitha familjet e dëshmorëve, të martirëve dhe familjet që nuk i kanë pranë më të dashurit për këtë festë të veçantë. Në këtë ditë simbol të sakrificës dhe solidaritetit, reflektojmë dhe thërrasim për mirëkuptim, tolerancë e dashuri mes njëri-tjetrit. Bashkë dhe të shtyrë nga qëllimet e mira, uroj që secili prej nesh, angazhimin tonë ditor e profesional, ta kapitalizojmë në funksion të ngritjes dhe zhvillimit të Atdheut tone”, ka shkruar Krasniqi.

Qytetarët i ka uruar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Festa e Kurban Bajramit është një ditë e veçantë në familjet tona. Ajo gjithëherë na ka bashkuar rreth njëri-tjetrit, siç dhe na ka rikujtuar domosdoshmërinë e ndarjes së të mirave me të tjerët. Të jesh afër në mirësi e të ndash aq sa ke me të tjerë në vështirësi, është pasuri njerëzore. Sot, derisa gjejmë veten të rrethuar me miq, fqinj e familjarë, përderisa shënojmë dashurinë dhe sakrificën tonë ndaj Zotit - le të përpiqemi për mirësi e mbarësi të përditshme e të pashterrshme. Për vendin e shtetin; për shoqërinë dhe për njëri tjetrin”, ka shkruar Abdixhiku.

“Me mesazhet që përçon kjo festë, uroj Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë shqiptarët myslimanë, kudo që jetojnë ata”, thuhet në mesazhin urues të Ramush Haradinajt.

Liderët e shtetit e të partive politike, kanë shkuar për urime edhe në pritjen zyrtare të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Lajme të ngjashme