Kurban Bajrami, festë solidariteti
Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojnë Kurban Bajramin. Ceremonia kryesore e faljes së Kurban Bajramit është bërë në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmed Fatih”, ku kanë marrë pjesë shumë besimtarë.
Drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, u janë drejtuar qytetarëve me mesazhe urimi duke u lutur për mbarësi dhe begati.
Me këtë rast, myftiu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, tha se kjo ditë është moment për t’i ndihmuar të varfërit, skamnorët dhe jetimët, pasi kjo do t’i afronte njerëzit pranë njëri-tjetrit.
“Islami gjithnjë ka urdhëdhuar: Për mbrojtjen e platit tokë dhe njerëzimit mbarë. Besimtarë të besimit islam, nga thellësia e zemrës, ju urojë Bajramin. Me fat ju qoftë festa e Kurban Bajramit”, ka thënë myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Tërnava u lut që në botë të përfundojnë luftrat.
“Të lutemi o Zot që të falësh mëshirë, rahmet mbi ne, besimtarët dhe njerëzimin mbarë”, ka thënë Tërnava.
Ai ka theksuar se në këtë ditë feste “kërkohet t’i harrojmë urrejtjet e mospajtimet, t’i bashkojmë zemrat tona dhe ta shtrijmë dorën e pajtimit”.
Kurban Bajramin e kanë uruar edhe liderët korovarë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Kurban Bajramit.
Kurti ka porositur që në këtë ditë feste të kujtohen mësimet e shenjta për t’u treguar bujarë e zemërgjerë me ata që s’kanë, jetimët, të dobëtit e të vetmuarit.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka uruar gjithë qytetarët për festën e Kurban Bajramit.
Konjufca ka thënë se kjo festë është një rast i veçantë për të reflektuar mbi vlerat e larta të flijimit, shërbimit, dhembshurisë, bamirësisë dhe për të ndihmuar ata që kanë më pak.
“Sakrifica e vërtetë sugjeron që të vendosim nevojat e tjetrit mbi tonat, dhe, nëse është e nevojshme, të heqim dorë nga ajo që është e rëndësishme për ne për të mirën e të tjerëve. Atmosfera që krijon Bajrami në këtë kohë të flladit veror le të jetë një motivim i ndarjes së dashurisë. Urime për Bajramin e Kurbanit!”, ka shkruar Konjufca.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
“Festa e Kurban Bajramit është një ditë e veçantë në familjet tona. Ajo gjithëherë na ka bashkuar rreth njëri-tjetrit, siç dhe na ka rikujtuar domosdoshmërinë e ndarjes së të mirave me të tjerët. Të jesh afër në mirësi e të ndash aq sa ke me të tjerë në vështirësi, është pasuri njerëzore”.
Cila është domethënia e Kurban Bajramit?
Besimtarë të shumtë të fesë islame tashmë janë përgatitur për këtë ditë të veçantë të kalendarit të tyre.
Por, jo të gjithë mund të dinë kuptimin e kësaj dite. Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayram, që do të thotë “Festa e Flijimit”.
Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami, bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.
Po ta përmbledhim me pak fjalë Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para.
Ushqimet për Kurban Bajramin
Sigurisht përbërësi kryesor që zë vend në tavolinën e festës së Kurban Bajramit është mishi i therur për këtë festë.
Mishi nga kafsha e flijuar, ndahet në tre pjesë: Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur u ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.
Zakonisht për këtë festë një nga pjatat që nuk mungon është supa.
Ndërsa ëmbëlsirat më të preferuara janë sigurisht ato tipike turke: bakllavaja, revania, shëndetlia, sheqerparja, por sigurisht mund ta kaloni gëzuar dhe me ndonjë tortë të blerë apo ëmbëlsirën që preferoni.
Duhet të keni parasysh që në tavolinën e Kurban Bajramit nuk duhet të ketë asnjë gatim me mish derri dhe asnjë pikë alkool./Nacionale.com/