Qeveria detyrohet të ndajë më shumë se 6 milionë euro për subvencionimin e teksteve pas anulimit të tenderit 4.8 milionësh
Më 9 gusht, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë anuloi tenderin për tekstet shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, me arsyetimin se çmimet e dhëna nga shtëpitë botuese ishin shumë të larta. Nuk kaloi shumë kohë që ekzekutivi të detyrohet të ndajë më shumë se 6 milionë euro nga buxheti i shtetit, duke tejkaluar me afro dy milionë euro vlerën e parashikuar të prokurimit që MAShT-i anuloi në gusht.
Rreth një javë më parë, Ministrja e MAShT-it, Arbërie Nagavci, njoftoi se ishte vendosur të ndryshohet qasja e zakonshme e pajisjes së shkollave dhe nxënësve me libra, duke lënë prindërit që të blejnë vetë librat gjatë këtij viti shkollor, ndërsa ministria premtoj kompensim të kostos më pas.
Ky vendim krejtësisht i papritur shkaktoi reagim të madh në opinionin publik duke akuzuar MAShT-in se një vendim i tillë ishte krejtësisht i panevojshëm, më burokratik se sistemi i mëparshëm dhe jashtëzakonisht problematik duke paralajmëruar se shpenzimet do të jenë më të larta pas refuzimit për të pranuar ofertat e shtëpive botuese.
Vendim u shoqërua edhe me pasojat financiare ku qeveria u detyrua të ndante një shumë prej mbi 6 milionë eurosh për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave të parë deri në të pestë.
Qeveria e Kosovës mori sot vendim për ndarjen e 6 milionë e 323 mijë e 380 eurove për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat një deri në pesë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot, në mënyrë elektronike, mbledhjen e radhës në të cilën ka ndarë 6,323,380 (gjashtë milionë e treqind e njëzetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë) euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5, dhe 6,617,340 (gjashtë milionë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e treqind e katërdhjetë) euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9”, thuhet në njoftim.
Shuma e ndarë për tekstet shkollore doli të jetë më e lartë se vlera e parashikuar e tenderit, të cilin MAShTI e anuloi në gusht, me rreth 2 milionë euro. E njëjta shumë është gjithashtu më e lartë për një milionë e gjysmë euro krahasuar me vlerën e tenderit që ishte arritur mes MAShTI-t dhe shtëpive botuese pas procesit të negociatave.
Reagime të shumta
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar ashpër politikat e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Këtë herë, kritikat e saja janëfokusuar në çështjen e tenderëve për librat shkollor.
Në një postim të gjatë, ajo ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mënyrën se si qeveria po menaxhon financat publike.
Deputetja Kica-Xhelili ka shprehur shqetësimin se qeveria po përdor metoda të dyshimta në menaxhimin e tenderëve duke i akuzuar për kamuflim të kostove shtesë në emër të materialeve tjera shkollore.
Ajo akuzoi po ashtu qeverinë se po tenton të demonizojë bizneset që ishin pjesë e tenderëve të mëparshëm, ndërsa po ua jep atyre të njëjtat para me ndërmjetës, por me kosto shtesë.
Edhe deputeti Berat Rukiqi ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si qeveria po menaxhon paratë publike.
Ai ka theksuar se Qeveria po dëmton buxhetin e shtetit dhe po tregon tendenca për shpenzime të papërgjegjshme.
Një shembull konkret që Rrukiqi ka përmendur është tenderi i anuluar për librat shkollorë.
Rrukiqi kujtoi tenderin e parë që kishte ofertë mbi 4 milionë euro për libra shkollorë, por ky tender u anulua, derisa sot qeveria ndau 6 milionë nga buxheti i plotë, duke e dëmtuar buxhetin në vlerë prej 2 milionë euro.
Nga ana tjetër, deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, kritikoi vendimin e MASHT-it.
Rrahmani për Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se nuk është dakord me formën se si MASHT-i ka zgjedhur ta rregullojë çështjen e librave.
Tutje, ai ka shtuar është dashur më heret të punojë për këtë gjë dhe se një gjë e tillë do të ishte më mire dhe me lirë.
“Nuk jam dakord, ka mundur të jetë më mirë me skemën e tillë do të jetë vlera më e lartë që do të paguhet më shumë se vitet e kaluara”, tha Rrahmani.
“Ministria do të duhej fokusohej te librat shkollor që ato të vihen në përdorim dhe pjesa tjetër të plotësohet, ishte dashtë të bëhet shumë më herët”, ka thënë ai.