Letrat e ShBA-së, Francës e Gjermanisë: Kërkohet të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi - NACIONALE

Letrat e ShBA-së, Francës e Gjermanisë: Kërkohet të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë Presidenca e Kosovës ka publikuar letrat e marra si urim për Ditën e Pavarësisë, derisa Kosova nesër shënon 15 vjet shtet. Ajo që bie në sy, është disa prej shteteve kryesore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, France dhe Gjermania, i kanë vendosur thekst të veçantë dialogut me Serbinë. Çka u tha konkretisht?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar urime për 15-vjetorin e pavarësisë nga krerët edisa vendeve.

Një ndër letrat e para që u publikua, ishte ajo e presidentit amerikan, Joe Biden, për të vazhduar më pas edhe me urimin e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe atij gjerman, Frank-Walter Steinmeir, dy prej shteteve të para që përkrahën një propozim evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Biden – Njohja reciproke, qëllim eventual

Presidenti amerikan ka thënë se e mirëpret miratimin e Kosovës ndaj këtij plani, që “qëllim eventual ka njohjen reciproke”.

“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin me qëllimin eventual të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë.” – ka thënë ai.

Mes tjerash, u tha se ShBA-të përkrahin integrimin euro-atlantik të Kosovës, dhe dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Macron – Të rifillojë dialogu

Presidenti francez, Emmanuel Macron, po ashtu ka nisur letër urimi për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht, ai ka shprehur urimet e tij, por më pas, ka përmendur dialogun.

Siç thuhet tutje në letrën e publikuar nga Presidenca e Kosovës, Macron ka kërkuar që të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është gjithashtu thelbësore të rifillojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili është një element qendror për perspektivën evropiane të dy vendeve dhe për sigurimin e stabilitetit të rajonit dhe kontinentit evropian. Ne presim që të dy vendet të angazhohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.” – bëhet e ditur aty.

Steinmeier - Dialogu me Serbinë, sfidë kryesore

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier në letrën e tij dërguar presidentes Osmani, e ka konsideruar sfidë kryesore për Kosovën normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Në të njëjtën kohë, dialogu i udhëhequr nga BE-ja me Serbinë mbetet një sfidë kryesore për vendin tuaj drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe promovimit të sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm rajonal.” – ka thënë ai.

Tutje, në letër shkruan: “Tensionet e fundit kanë treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është që të dyja palët të angazhohen në negociata.”

Në fund, presidenti gjerman ka thënë se e mbështet fuqishëm të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Ndërkohë, edhe presidenti italian, Sergio Mattarella, ka thënë se është urgjente arritja e një normalizimi të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Konteksti aktual evropian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uroj sinqerisht që propozimi evropian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim evropian, të cilën Italia e mbështet bindshëm.” - thuhet në letrën e urimit të presidentit Italian.

Lajme të ngjashme