Letra e Bërnabiq dhe hapat e vështirë të Kurtit e Vuçiq: Çka thotë Lajçak për këtë nga Dubrovniku? - NACIONALE

Letra e Bërnabiq dhe hapat e vështirë të Kurtit e Vuçiq: Çka thotë Lajçak për këtë nga Dubrovniku?

2 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nga Forumi i Dubrovnikut ka folur në lidhje me bisedimet mes dy vendeve. Ai është pyetur për letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, si dhe për vendimet e vështira që po iu kërkohen kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Fillimisht, Lajçak u pyet nga gazetari Michael Martens në lidhje me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, ku ajo deklarohej se marrëveshja për normalizim nuk është ligjërisht e obligueshme.

“Çka po negociohet, nëse ky është pozicioni i Serbisë?” – pyeti Martens.

“Si përfaqësues i BE-së mund të jap një definicion se çka nënkupton normalizimi sipas dokumenteve të BE-së, që është të ndërmjetësojë, të ndihmojë Kosovën e Serbinë të nënshkruajnë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që normalizon marrëdhëniet mes tyre, dhe zgjidh çështjet e hapura mes tyre. Natyrisht, u takon palëve, Kosovës dhe Serbisë që të definojnë se çka nënkupton normalizimi, por kur flasim për marrëveshje ligjërisht të oblgiueshme, tregon shumë.” – tha Lajçak në përgjigjen e tij, përcjell Nacionale.

Sipas diplomatit evropian, që do ta mbajë këtë pozitë deri të paktën në janar, marrëveshja e arritur është ligjërisht e obligueshme, dhe se e njëjta, u realizua me deklaratën e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Marrëveshja që arritëm në shkurt dhe mars vitin e kaluar në Bruksel e Ohër, është marrëveshje ligjërisht e obligueshme. Kjo u është bërë me dije palëve, dhe janë pajtuar për këtë në Ohër. Është bërë në linj me Konventën e Vjenës, që thotë se marrëveshjet mund të formalizohen përmes nënshkrimit, ose nëse pajtohen palët, në këtë rast, u arrit me deklaratën e përfaqësuesit të Lartë, Borrell. BE-ja ka thënë disa herë që marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Dispozitat e marrëveshjes janë bërë pjesë e kapitullit 35 të Serbisë, kështu që ka të bëjë edhe me marrëdhëniet formale mes Serbisë dhe BE-në.” – tha ai, përcjell Nacionale.

Lajçak tutje përsëriti se po harxhohet kohë duke folur për gjëra që nuk janë relevante, duke theksuar se “po bëhet pak për implementimin e marrëveshjes”.

“Po harxhojmë shumë kohë duke folur për diçka që nuk është shumë relevante, çka është relevante, është se është bërë shumë pak për implementimin e marrëveshjes, kjo është çështja kryesore.” – tha ai.

Martens iu drejtua emisarit Lajçak duke i thënë se si ndërmjetësues, aktualisht është “duarbosh”.

“…anëtarësimi në BE, nuk është në horizont më, pse duhet të presim nga Kurti apo Vuçiq të ndërmarrin hapa të vështirë?” – ishte pyetja e radhës.

Lajçak u shpreh se tani “loja është tjetër”. Sipas tij, BE-ja po bëhet gati për të pranuar anëtar të rinj nga Ballkani Perëndimor, por kjo dritare e mundësisë, nuk do të jetë gjithmonë e hapur.

“BE-ja po bëhet gati për të pranuar anëtar të rinj nga Ballkani Perëndimor, që nuk ishte çështje para pesë viteve. Por kjo dritare e mundësive nuk do të jetë e hapur përgjithmonë. Kështu që, ne kemi motivim për partnerët tanë më shumë sot.” – tha emisari evropian.

Lajme të ngjashme