Letonia i dërgon në Ukrainë veturat e konfiskuara nga drejtuesit e dehur - NACIONALE

Letonia i dërgon në Ukrainë veturat e konfiskuara nga drejtuesit e dehur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Veturat e konfiskuara nga drejtuesit e tyre të dehur në Letoni po dërgohen në Ukrainë, sipas një skeme të re, e cila është dizajnuar për t’i dalë në ndihmë vendit të përfshirë nga lufta.

Tetë automjete të konfiskuara u nisën nga kryeqyteti letonez, Riga, të mërkurën dhe pritet ta kalojnë kufirin së shpejti.

Ky është grupi i parë i veturave që do të dërgohen sipas këtij plani të miratuar nga Kuvendi i Letonisë muajin e kaluar, raporton televizioni BBC.

Deputetët u pajtuan që ta lejonin dërgimin e veturave që janë në pronësi të shtetit tek ushtria dhe spitalet ukrainase.

Në fund të vitit të kaluar, Letonia e ndryshoi ligjin në mënyrë që drejtuesve me mbi 1,5 miligram alkool në 100 mililitra gjak – trefish më shumë se kufiri i lejuar – mund t’u konfiskohen automjetet dhe të shiten nga autoritetet.

Letonia e ka njërin ndër nivelet më të larta të drejtimit të automjeteve nga drejtuesit e dehur në Evropë, sipas transmetuesit publik, LSM, me rreth 3.500 raste të tilla në vit.

Ndryshimi i ligjit shkaktoi rritje të numrit të veturave të konfiskuara me të cilat u mbushën parkingjet shtetërore brenda disa javëve.

Si rezultat, autoritetet janë zotuar se do të dorëzojnë më shumë se 20 vetura në javë te një organizatë bamirëse, e cila dërgon në Ukrainë vetura të dhuruara.

Lajme të ngjashme