Letër publike deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës: Mos harroni pse jeni aty
Analisti politik Shenoll Muharremi iu ka shkruar një letër publike deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës, të cilët sot pritet të betohen.
Në këtë letër, ai ka kërkuar që ata të mbrojnë interesin e qytetarëve të Kosovës.
Ndër të tjera, Muharremi ua ka rikujtuar atyre edhe vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin të rrymës.
Letra e plotë:
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Sot nisni punën në legjislaturën e re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ju jeni zgjedhur me votë nga qytetarët për të përfaqësuar interesin e tyre, për të mbrojtur mirëqenien publike dhe për të ndërtuar një shtet më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të ndjeshëm ndaj halleve të përditshme të njerëzve dhe bizneseve të këtij vendi.
Ky mision nuk është ceremonial. Është detyrë e përditshme, por shumë herë, fatkeqësisht, kjo po harrohet. Po harrohet se rroga që merrni vjen nga taksat e qytetarëve që punojnë nga mëngjesi deri në darkë. Po harrohet se zyret që ju shërbejnë nuk janë pronë private, por hapësira të përbashkëta të republikës. Po harrohet se nuk jeni aty për të ju bindur partisë apo grupeve të interesit por por për ti shërbyer qytetarëve, familjeve, bizneseve, fermerëve dhe prodhuesëve vendor.
Shembulli më i freskët është propozimi i rritjes së tarifave të energjisë elektrike nga ZRRE. Në një kohë kur qytetarët janë të lodhur nga inflacioni dhe mungesa e perspektivës, e kur fshatërat janë zbrazur. Bizneset e prodhuesit vendorë po përballen me kosto të rritura, pra ky vendim është jo vetëm ekonomikisht i padrejtë, por politikisht i papërgjegjshëm dhe moralisht i pashpjegueshëm.
ZRRE duhet të jetë transparente dhe të i shërbej interesit publik. Kur kjo dështon, duhet të japë llogari. Kuvendi ka detyrimin të anuloj këtë vendim të padrejtë për rritjen e tarifave të energjisë që shkakton një valë të re të inflacionit dhe të shkarkojë bordin dhe menaxhmentin përgjegjës për këtë arrogancë institucionale.
Është koha që Kuvendi të rikthehet aty ku e ka vendin, pranë qytetarit, pranë ndërmarrësit, pranë nevojës për drejtësi, për stabilitet dhe për vizion afatgjatë. Kjo legjislaturë duhet të mos bëjë gabimin e të mbyllë sytë përballë padrejtësive që vijnë nga vetë institucionet publike që duhet të japin llogari në Kuvendin e Kosovës.
Mos të harrojmë, kush e harron qytetarin, sovrani e ndëshkon. Edhe më keq, kush e harron misionin për të cilin është zgjedhur, humbet shpresën për një të ardhme më të mirë e migrimi i rinisë vazhdon, importet dhe deficiti rriten e familjet kosovare varfërohen.