Lëshohet alarmi në veri të Kosovës: Raportohet për arrestime dhe dhunë ndaj Policisë
Alarmi në veri është lëshuar sërish sot.
Në disa pamje të publikuara nga media të rajonit, dëgjohet zhurma e alarmit, ndonëse nuk dihet se pse ka ndodhur një gjë e tillë.
Megjithatë, burime të Nacionales bëjnë të ditur se sirenat në veri janë lëshuar pasi dyshohet se policia e Kosovës ka arrestuar një person afër shkollës teknike në Mitrovicë të Veiriut.
Shënim: Nacionale ka kontaktuar policinë e Kosovës për rajonin e veriut, por deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje dhe nuk kemi arritur që në mënyrë të pavarur t’i konfirmojmë këto informacione.
Po ashtu, Nacionale e ka kontaktuar në telefon edhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, për të marrë më shumë detaje, por i njëjti s’e ka hapur telefonin.
Ndërkohë, sipas mediumit “Radio Kontakt Plus” disa qytetarë kanë deklaruar se sirenat u lëshuan pas arrestimit të një qytetari.
Sipas informacioneve, të cilat ende nuk janë të konfirmuara, disa anëtarë të njësisë speciale kanë qëndruar në qendër të qytetit, derisa po ndodhte arrestimi.
Po ashtu, përmendet se edhe një salon i flokëve është bllokuar, derisa po zhvillohej kjo ngjarje. Pak minuta më vonë, policia është larguar dhe raportohet, se është hedhur gaz lotësjellës.
Një gjë e tillë, gjithnjë sipas këtij mediumi, ka nervozuar qytetarët të cilët kanë hedhur gurë dhe objekte të tjera në drejtim të veturave zyrtare të policisë.
Propozimi i Kurtit
Kryeministri Kurti ka bërë një propozim për deeskalimin e situatës, derisa dha detaje në një konferencë për media.
"I njoftova për propozimin e Qeverisë së Kosovës për deeskalim... Propozim që e kam ndarë paraprakisht me z. Josep Borrell." - u shpreh z. Kurti.
"Kam shprehur (te Borrelli dje dhe ambasadorët sot) përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë për depërshkallëzimin e situatës në veri dhe normalizimin e raporteve me Serbinë." - vazhdoi tutje ai.
Çfarë propozimi ka dhënë Kurti?
Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.
Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave nw veri.
Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.
Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.
A ka marrë përgjigje?
Kurti tregoi gjerë e gjatë se si BE-ja ishte po ashtu për sundim të ligjit, kur u pyet nëse Borrell i kishte dhënë përgjigje për propozimin e tij.
Megjithatë, Kurti tha se ende ishte në pritje të përgjigjes.
"Ende nuk kam marrë përgjigje nga z. Borrell. Kur folëm ai ishte në një aeroport..." - tha z. Kurti.
Kryeministri tha se kishte shprehur gatishmëri që të takohej këtë javë me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell.