Kurti arsyeton lëshimet për strukturat ilegale: Do të bëjmë inkorporomin e tyre në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit
Kryeministri Albin Kurti ka folur për lëshimet që ka bërë në zbatimin e Ligji për të huaj për strukturat paralele serbe.
Ai ka arsyetuar kompromiset që ka bërë të shtunën.
Para gazetarëve, ai thënë se do të bëhet inkorporomi i këtyre strukturave ilegale në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit.
“Po zbatohet ligji nga periudha para 13 vjetëve dhe më në fund po zbatohet ligji. Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave të cilat janë në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit. Ju e dini që strukturat e tjera ilegale të Serbisë sikurse ato të sigurisë, të financave, të administrimit nuk ekzistojnë më”, ka thënë ai.
Ai ka bërë me dije se për t`u inkorporuar këto struktura është e domosdoshme që institucionet e Kosovës të kenë listën e mësimdhënës dhe mjekëve.
“Kanë ngelur edhe arsimi dhe shëndetësia dhe ato do t’i inkorporojmë. Por, që ta bëjmë këtë, duhet ta kemi listën e të gjithëve që punojnë në këto struktura. S’duam që pacientët serbë të ngelen pa trajtim shëndetësor e nxënësit serbë të ngelin pa mësim, por kjo duhet të bëhet në mënyrë legale, kjo do të thotë përbrenda ligjshmërisë së Kosovës. Në këtë aspekt po punojmë duke e dhënë edhe një dritare 12-mujore, përkatësisht tremujore për qëndrim, pastaj për punë dhe për pajisje me dokumente të Kosovës”, është shprehur ai.
Duke arsyetuar këto lëshime, ajo ka thënë se ngjashëm është vepruar edhe për targat.
“S’është veprim politik, por zbatim i ligjit, zbatim gradual në bashkëpunim me BE’në në mënyrë që në Kosovë të kemi legalizim, normalizim, investime për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë ai.
I pyetur për kritikat e opozitës se këto lëshime janë një hap drejt jetësimit të Asociacionit, ai ka mohuar një gjë të tillë.
Sipas tij, opozita vazhdimisht e akuzon për një gjë të tillë.
“Këto pesë vite sa jam kryeministër shpeshherë eksponentë të opozitës kanë thënë që ‘e bëri Zajednicën këtë muaj’, ‘do të bëjë Zajednicën muajin e ardhshëm’, por ju e dini që pesë vjet janë 60 muaj, nuk ka Zajednicë. Prandaj, e keni një qeveri të Republikës, e cila është demokratike, e cila siguron mirëqenie për të gjithë qytetarët, siguri e begati për të gjithë pa dallim”, është shprehur ai.