Legjitimiteti i zgjedhjeve në pikëpyetje: KQZ-ja ende nuk është kompletuar, a po mundëson Haxhiu mbivotimin e VV-së?
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ende nuk e ka emëruar anëtarin e dhjetë të KQZ-së, i cili, sipas njohësve të Kushtetutës, i takon PDK-së. Ndonëse zgjedhjet e parakohshme mund të shpallen deri në fund të muajt, Haxhiu vazhdon ta zvarris kompletimin e përbërjes së KQZ-së. Ky mosveprim i Haxhut shton dyshimet se ajo do të mundëson mbivotimin e VV-së në KQZ.
Gjashtë vota “për’, pesë “kundër”. Kështu ishin ndarë votat e 11 anëtarëve të KQZ-së më 25 nëntor të vitit të kaluar, në mbledhjen ku ishte vendosur për miratimin e buxhetit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Buxheti i miratuar me 6 vota ‘për’, përmbante edhe amadamentin e veçantë të mbështetur në Rregulloren Zgjedhore për votimin jashtë Kosovës, sipas së cilës, KQZ-ja obligohej që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës për votim përmes postës t’ua dërgonte fletëvotimet origjinale në adresën e votuesve.
Propozimi i tillë që në buxhet të përfshihej edhe shuma për realizimin e votimit jashtë vendit përmes dërgimit të fletëvotimeve me postë, ishte propozuar nga PDK, LDK dhe AAK, por kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, së bashku me përfaqësuesit e VV-së, nuk mbështesnin zbatimin e rregullores së KQZ-së, por propozime alternative, siç mund të ishte dërgimi i fletëvotimeve në e-maila të votuesve.
Ky rezultat i ngushtë është një tregues i qartë se si rrjedhat në institucionin që merret me organizimin e zgjedhjeve mund të ndryshojnë edhe nga një votë e vetme.
Në fund, KQZ kishte arritur që në kohë t’i dërgonte të gjitha fletëvotimet në adresa të votuesve, edhe përkundër dyshimeve të shprehura publikisht se ky proces do të dështonte.
Dhe pikërisht, ky rezultat kishte ndikuar që përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, të hidhej në kërcënime publike ndaj përfaqësueses nga radhët e komuntietit turk, Mufera Sinik.
Situata të ngjashme mund të përsëriten në zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat pritet të shpallen deri në fund të muajit prill.
Kjo pasi dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, i kanë dhënë fund negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Njohës të zgjedhjeve kanë alarmuar në disa raste se legjitimiteti i zgjedhjeve mund të vihet në pikëpyetje në rast se dëmtohet përfaqësimi opozitar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në rrethana të ngjashme ku një votë e vetme mund të përcaktojë rrjedhën e organizimit të zgjedhjeve, është duke ndikuar drejtpërdrejtë ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila ende nuk ka vendosur që të emërojë anëtarin e 11-të të KQZ-së, që sipas njohësve të Kushtetutës, i takon PDK-së, por për të cilin është duke pretenduar partia e saj, Vetëvendosje.
Kryetarja e Kuvendit, Haxhiu, ka filluar ushtrimin e postit të të parës së shtetit nga 5 prilli dhe deri më tani, pas 16 ditësh, ajo nuk ka vendosur për emërimin e anëtarit të KQZ-së.
Në një intervistë të dhënë vetëm pak ditë pasi hyri në zyrën e Presidentes, Haxhiu ka paralajmëruar se do t’i jap përparësi Rregullores së Kuvendit të Kosovës që nuk flet askund se si bëhet emërimi i anëtarëve të KQZ-së dhe jo Kushtetutës që tregon saktësisht se si është përbërja e KQZ-së.
Madje, Haxhiu kishte bërë huqje të madhe duke interpretuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2019, në rastin KO 58/19, ku parashtrues ishte Bilall Sherfii dhe 29 deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Ky Aktgjykim nuk tregon askund se nga sa anëtarë në KQZ u takojnë grupeve parlamentare, por çështja e trajtuar nga Kushtetuesja ka të bëjë me pretendimet se edhe grupet parlamentare të formuara pas zgjedhjeve kanë të drejtë të emërojnë anëtarët e tyre në KQZ.
Partia e kryeministrit, Albin Kurti, pjesë e së cilës është edhe Haxhiu, po kërkon anëtarin e 3-të në KQZ me arsyetimin se pasi ka arritur të fitojë gati gjysmën e Kuvendit të Kosovës, kjo duhet të reflektohet edhe në ndarjen e ulëseve shqiptare në KQZ. Ndërkaq, PDK ka këmbëngulur se Kushtetuta është e qartë, por edhe praktika institucionale.
Çka thotë Kushtetuta?
Ndonëse zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit 2025, janë mbajtur vetëm për fuqinë e partive politike në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 51% të votave, ka kërkuar që ashtu si gjysma e Kuvendit të Kosovës t’i takojë edhe gjysma e ulëseve të caktuara për grupet parlamentare të subjekteve politike shqiptare në KQZ.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 ulëse në KQZ, u takojnë 6 grupeve më të mëdha parlamentare, respektivisht subjekteve politike shqiptare, e 4 të tjera për komunitetet.
“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 139.
Aktualisht, sipas rezultateve të 28 dhjetorit, në Kuvendin e Kosovës kanë arritur të hyjnë 4 subjekte politike shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK), prandaj, ndarja e 6 ulëseve duhet të bëhet për këto subjekte politike.
Por, në këtë situatë, kur numri i grupeve parlamentare nga radhët e subjekteve shqiptare është më i vogël, Kushtetuta ka dhënë zgjidhje, duke ia mundësuar grupit apo grupeve më të mëdha të emërojnë anëtarë shtesë.
“Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në vazhdim të paragrafit të njëjtë.