“Le të ulemi me Amerikën e propozimin t’ia prezantojmë Blinkenit” – Çfarë tha Osmani për Asociacionin? - NACIONALE

“Le të ulemi me Amerikën e propozimin t’ia prezantojmë Blinkenit” – Çfarë tha Osmani për Asociacionin?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në RTK rreth formimit të Asociacionit.

Ajo ka thënë se kryesor në këtë proces është përfshirja direkte e Amerikës. Sipas saj, Kosova duhet të ulet me liderët e Amerikës, e të propozojë një draft për Asociacionin. Një propozim sipas saj, në përputhje me Kushtetutën.

“Nga fillimi kam thënë që nuk shoh sukses pa involvimin direkt të Amerikës në këtë proces, dhe këtë e dëshmon historia. Në secilin proces në krejt Ballkanin, veçanti në Kosovë, nëse Amerika nuk e merr rolin udhëheqës, atëherë është problem të kemi sukses në të ardhmen. Për të bërë një kthesë të rëndësishme në ditët dhe muajt në vijim, duhet të ulemi me Amerikën që propozimin tonë në përputhje me ato parime ta prezantojmë para liderëve të Amerikës, dhe natyrisht të merremi vesh me ta se cilët do të jenë hapat tutje. Nuk besoj që e pranon Serbia propozimin që është në përputhje me Kushtetutën, por nuk mund të shkojmë përtej kësaj”, ka thënë Osmani, raporton Nacionale.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.

“Ne nuk jemi kundër të drejtave të pakicave, përkundrazi duhet të ofrojmë sistemin më të avancuar në përputhje me Këshillin e Evropës. Megjithatë, diçka që e bën shtetin tonë jofunksional asnjëherë nuk e kanë kërkuar SHBA-të. Prandaj i shoh si partnerin që duhet të ulemi të prezantojmë planin tonë, për rrugën tonë drejt fuqizimit ndërkombëtar dhe hapat e tjerë që kam prezantuar me liderët e Amerikës”, deklaroi Osmani.

“Jo që po e zbuloj ujin e nxehtë, por sukseset e Kosovës qofshin ato të sigurisë, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, kanë qenë të mundura kur kemi pasur bashkërendim me Amerikën. Edhe BE-ja na ka ndihmuar, por drejtimin kryesor të progresit e kemi pasur me Amerikën. Akoma janë 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, dhe kjo mungesë uniteti nuk po e ndihmon vendimmarrjen, dhe kjo po dërgon në qasje për t’u arritur uniteti, secili shtet po heq dorë nga ndonjë qëndrim, dhe ajo qasja finale po na dëmton”, tha ajo.

Osmani ka kritikuar faktin se në reagime thuhej “të përmbahen palët”. Ajo ka pyetur se nga çfarë duhet të përmbahet Kosova.

“Megjithatë, përderisa sulme të tilla vendosen në suazën e barazimit të palëve, kjo nuk e ndihmon situatën, por inkurajon ata që kanë përdorur dhunë. Nëse nuk ka përgjegjësi për ata që sulmuan NATO-n, Policinë e gazetarët ky është inkurajim për këto grupe që të përdorin dhunë. Nëse nuk do të vendosen prapa grilave, atëherë pse mos ta rritin intensitetin e dhunës dhe pikërisht kjo ndodhi. Shpresoj që parnterët tanë ta marrin parasysh faktin se nëse përgjigja me Serbinë nuk është e qartë, dhe veprimet nuk janë të qarta, atëherë kjo inkurajon strukturat serbe për destabilizimin e rajonit, dhe strukturat kriminale ta rrisin dhunën”, tha fillimisht Osmani.

“Të mos barazohet, e të thuhet të përmbahen palët: nga çka të përmbahet Kosova? Nga vetmbrojtja? Nga çka është dashur të vetmbrohet heroi Bunjaku? Këta njerëz e mbrojnë sovranitetin. Në këtë luftë me një agresor. Ata synojnë të krijojnë situatë ku të lihet hapësirë për dialog, megjithatë që 12 vite dialog, pavarësisht se Kosova ka zbatuar marrëveshje, Serbia s’i ka zbatuar 50% të tyre. Serbia ka rritur intensitetin e dhunës”, deklaroi presidentja e vendit.

Ajo kërkoi që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen, e të vendosen masa të ashpra ndaj Serbisë pas sulmit terrorist.

Lajme të ngjashme