LDK: Rama po e bën një punë të jashtëzakonshme në Prishtinë, pavarësisht pengesave nga Qeveria
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot ka mbajtur një takim pune me kreun e Prishtinës, Përparim Rama, drejtorë e asamblistë në Prishtinë nga kjo parti.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, derisa takimi u mbajt pasi Pëllumb Bajqinovci u zgjodh kryetar i Kuvendit Komunal.
“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mbajtur takim pune me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, drejtorë dhe asambleistët e Komunës së Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në takim është diskutuar dhe procesi i zgjedhjes së Kryesuesit të kuvendit komunal, ku sot gjatë ditës Kuvendi Komunal zgjodhi Pëllumb Bajqinovcin për kryesues. Pëllumbi do t’i japë dinamikë tjetër punës në kuvendin komunal, siç e ka dëshmuar gjatë gjithë aktiviteteve të tij në kryeqytet.” – thuhet në komunikatë.
Tutje, shkruan si vijon:
“Ekipa qeverisëse e kryetarit Rama së bashku me asambleistët u dakorduan që t’i koordinojnë punët dhe projektet që po e përmirësojnë jetën e qytetarëve çdo ditë.”
Veç kësaj, LDK ka thënë se Rama po e bën një punë të jashtëzakonshme për Prishtinën, pavarësisht pengesave e vështirësive nga Qeveria.
“Kryetari, Rama, po bën një punë të jashtëzakonshme në transformimin e Prishtinës pavarësisht vështirësive e pengesave që po u bëhet nga Qeveria. Sot, nëpër rrugët, rrugicat dhe sheshet e Prishtinës vëren gjallëri dhe punime të cilat janë në shërbim të drejtëpërdrejt të rritjes së cilësisë së jetesës në kryeqytet.” – thuhet në fund të komunikatës.