LDK-ja i reagon VV-së: Në vitin 2019 pati mbrojtur mbi 4.000 zarfe të ardhura nga "mërgata" serbe - NACIONALE

LDK-ja i reagon VV-së: Në vitin 2019 pati mbrojtur mbi 4.000 zarfe të ardhura nga "mërgata" serbe

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), pas kërkesës së tyre për anulimin e votave me postë. Në një komunikatë për media, LDK e cilëson këtë veprim si një përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të votuesve dhe integritetin demokratik të procesit zgjedhor.

“Vetëvendosje kërkon anulimin e votave me postë të mërgatës sonë për LDK-në, vetëm pse nuk u pëlqen rezultati. Kjo përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të votuesve tanë në mërgatë përbën një akt të rrezikshëm ndaj integritetit demokratik të procesit zgjedhor.” – thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, janë vetë përfaqësuesit politikë të Vetëvendosjes në ambasada dhe konsullata ata që kanë ndërhyrë dhe manipuluar votat e diasporës.

Si provë për këtë, partia përmend mbi 1.600 fletëvotime të LVV-së, të cilat, sipas tyre, janë të printuara me gabime identike, duke dëshmuar një manipulim të organizuar.

“Pikërisht përfaqësuesit politikë të kësaj partie, të emëruar nëpër ambasada dhe konsullata, janë ata që kanë ndërhyrë dhe manipuluar votat e diasporës në zyra e korridore. Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar. Për më tepër, ka prova të shumta mbi vetë-inkriminimin publik të aktivistëve të Vetëvendosjes në mbushjen masive të fletëvotimeve të mërgatës. Nëse duhet të shqyrtohet anulimi i ndonjë vote për shkak të parregullsive, pikërisht këto raste duhet të jenë objekt i një hetimi të plotë dhe të paanshëm.” – thuhet më tej në komunikatën e LDK-së.

Partia e drejtuar nga Lumir Abdixhiku e quan hipokrite këtë kërkesë të LVV-së, duke kujtuar që në vitin 2019 Vetëvendosje mbrojti mbi 4.000 zarfe me vota të ardhura nga Serbia, duke kërkuar nga Gjykata Supreme që ato të pranoheshin si të rregullta.

“Është paradoksale dhe thellësisht hipokrite që kjo kërkesë për anulimin e votave të mërgatës të vijë pikërisht nga Vetëvendosje, një subjekt politik që në zgjedhjet e vitit 2019 pati mbrojtur mbi 4.000 zarfe të ardhura nga "mërgata" serbe, duke kërkuar në Gjykatën Supreme që ato vota të pranoheshin si të rregullta.

E njëjta parti sot kërkon anulimin e votave të diasporës shqiptare – natyrisht, vetëm atyre që janë në favor të LDK-së – dhe, njëkohësisht, synon të ndalojë kandidimin për deputet të z. Hysen Çekaj, djalit të heroit të kombit, Sali Çekaj.” – thuhet aty.

LDK ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur integritetin e votës së saj dhe të mërgatës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur integritetin e votës së saj, brenda dhe jashtë vendit. Nuk do të lejojmë që vullneti politik dhe demokratik i mërgatës sonë të cenohet sa herë që rezultati zgjedhor nuk përputhet me interesat e Vetëvendosjes.”

Lajme të ngjashme