LDK-ja i fton qytetarët në veri për qetësi: Kosovës i duhet udhëheqje e matur
Përmes një komunikate për medie, kjo parti ka vlerësuar se Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bie në grackat destabilizuese të Serbisë.
Sipas LDK-së, politikat populliste, me synim turmat partiake para interesave madhore nacionale, i sjellin Kosovës dëme afatgjate.
“Në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bjen në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë. Politikat populliste, me synim turmat partiake para interesave madhore nacionale, i sjellin Kosovës dëme afatgjate dhe regres në arenën ndërkombëtare”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Kjo parti ka ftuar qytetarët e pjesës veriore për qetësi.
“LDK-ja i fton qytetarët në veri për qetësi; ndërsa institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë. Moskoordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë nga institucionet e Republikës së Kosovës, i nxitë dhe shërben agjendat destabilizuese e provokuese në territorin e Kosovës. Pasojat e një destabilizimi të tillë janë të pariparueshme për vendin”, është thënë në komunikatë.