LDK-ja e ashpër me MASHTI-n për blerjen e mjeteve shkollore: Paaftësi, palogjikë e panevojë - NACIONALE

LDK-ja e ashpër me MASHTI-n për blerjen e mjeteve shkollore: Paaftësi, palogjikë e panevojë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Deri sa ka mbetur edhe një ditë të fillojë mësimi, mbi 115 mijë persona kanë aplikuar për t’u pajisur me libra shkolllorë. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se sot janë kryer pagesat për grupin e parë të aplikuesve deri më datë 29 gusht, për subvencionimin e teksteve shkollore.

Përmes një shkrimi në Facebook, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se janë mbi 81 mijë nxënës që kanë përfituar.

“Sot kemi përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues. Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës.” – ka thënë Nagavci.

Situata sa vjen e komplikohet për tekstet shkollore ngase përveç mospagesës, dje ministrja Nagavci kishte edhe një kërkesë për prindërit e nxënsëve fillorë.

Kemi kërkuar nga DKA-të që të publikojnë listën për tekste shkollore dhe sipas informatave tona, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale.

Po ashtu, mësimdhënësit tashmë kanë filluar t'i ndajnë këto lista me prindërit andaj, lus prindërit që para se t’i blejnë tekstet të konsultohen me mësimdhënësit. Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe janë zotuar se çmimet nuk do të rriten”, ka shkruar ajo.

Reagimet

Vendimin e komplikuar dhe me të shtrenjtë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për blerjen e mjeteve shkollore, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka vlerësuar paaftësi dhe paranojë të Qeverisë.

Përmes një videoje, Abdixhiku ka treguar se si prindërit janë duke u maltretuar nga kaosi organizativ, tollovia dhe pritja, dhe ka thënë se ata janë kthyer në një eksperimet të Qeverisë.

Pamjet që po i shihni janë të kaosit organizativ, të tollovisë, pritjes e maltretimit – janë pamje të përpjekjes së përditshme të prindërve kosovarë të cilët, pa asnjë nevojë e asnjë logjikë, u bënë subjekt i eksperimentit komplikues të Qeverisë”, ka thënë Abdixhiku.

Pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet qeveria”, ka shkruar ai tutje.

Tutje, i pari i LDK-së ka thënë kjo formë përveç e komplikuar ishte edhe më e shtrenjtë se praktika e mëhershme e furnizimit të shkollave me mjete mesimore.

Ironikisht, nën paranojën e përfitimeve të biznesit, pushteti popullist kishte dështuar një proces që çdo vit kryhej krejt normalisht. Ironikisht, në gjithë këtë proces, të vetmit përfitues mbetën pikërisht këto biznese. Në fund, librat u blenë te ata. Dhe, siç kuptuam nga vendimi i vet Qeverisë, në vend të 4.8 milionëve tani do t’i përfitojnë mbi 6 milionë euro si subvencionim”, tha ai tutje.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar ashpër politikat e Qeverisë lidhur me çështjen e tenderëve për librat shkollor.

Në një postim të gjatë, ajo ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mënyrën se si qeveria po menaxhon financat publike.

Deputetja Kica-Xhelili ka shprehur shqetësimin se qeveria po përdor metoda të dyshimta në menaxhimin e tenderëve duke i akuzuar për kamuflim të kostove shtesë në emër të materialeve tjera shkollore.

Ajo akuzoi po ashtu qeverinë se po tenton të demonizojë bizneset që ishin pjesë e tenderëve të mëparshëm, ndërsa po ua jep atyre të njëjtat para me ndërmjetës, por me kosto shtesë.

Nga dikur 8 milion në 13 si total, po kamuflojnë koston shtesë kinse në emër të materialeve tjera shkollore, sepse u dëshmua që librat po u kushtojnë prindërve më shtrenjtë se kur i kontraktonte ministria me tender. Bonus: nervoza; koha; transporti.

Domethënë, atyre bizneseve që dikur thonin “po zhvatin para publike” me tender, përmes subvencionimit po u japin sërish të holla, veçse me kosto shtesë. Por, duke i demonizuar po ato biznese”, ka shkruar ajo.

Lajme të ngjashme