LDK-ja dhe AAK-ja lidhin disa koalicione parazgjedhore, PDK-ja dhe VV-ja këqyrin seri
Me afrimin e zgjedhjeve të rregullta nacionale, partitë politike i kanë shtuar aktivitet për t`i konsoliduar radhët e tyre. Ndonëse ato në muajin e kaluar nuk u pajtuan për shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, subjektet politike nuk janë ndalur në përgatitje e tyre.
Deri me tani, LDK-ja dhe AAK-ja i kanë zyrtarizuar disa koalicione parazgjedhore, ndërsa PDK-ja dhe VV-ja nuk kanë lëvizur ende në këtë drejtim.
Këtë javë, LDK-ja ka vazhduar traditën e bashkëpunimit me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, raporton gazeta Nacionale.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Adixhiku, ka thënë se ky koalicion është në funksion të përbashkimit të së djathtës në Kosovë.
“Në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënshkruam marrëveshje parazgjedhore me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) për garimin e përbashkët në një listë zgjedhore, në listën e LDK-së, në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Ky bashkëpunim është rikthim në traditën e ndershme dhe të shëndoshë që nëpër dekada kemi pasur, që nga koha e Presidentit Rugova dhe profesor Mark Krasniqi. Përbashkimi i së djathtës brenda listës së LDK-së, me programin e LDK-së dhe me bindjet tona ideologjike që definojnë vet të ardhmen euroatlantike, është domosdoshmëri kombëtare! LDK-ja do të vazhdojë angazhimin në përbashkimin e së djathtës me partnerë të tjerë gjatë ditëve, javëve e mujave të ardhshëm!”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
Në janar të këtij viti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka nënshkruar koalicionin e parë parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate, e cila udhëhiqet nga Fatmir Limaj.
Më pas, në muajin shkurt, partia e Ramush Haradinajt ka lidhur koalicion parazgjedhor edhe me Forumi Intelektual E-2030, udhëhiqet nga Artan Nimanin.
Në këtë drejtim, nuk kanë vepruar PDK-ja dhe VV-ja. Ndonëse lidershipi i tyre është shprehur i hapur për bashkëpunime me partitë më të vogla, ato ende nuk kanë treguar për ndonjë koalicion.
Ende nuk duhet se më kë do të bashkëpunojnë AKR-ja e Behgjet Pacollit dhe PSD-ja e Dardan Molliqajt.
Fillon prezantimi i kandidatëve për deputetë
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë filluar edhe përpilimin e listave të kandidatëve për deputetë. Deri me tani ato kanë publikuar disa emra të kandidatëve, ndërsa udhëheqësit e këtyre partive kanë premtuar risi në përbërjen e këtyre listave.
Një ditë më parë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar se Sala Jashari do të jetë pjesë e listës për deputet.
“Sot, në Partinë Demokratike të Kosovës i urova mirëseardhje Sala Jashari. Ajo mban me krenari emrin e gjyshes së saj, heroinës Sala Jashari, nënës së dy gjeneralëve të shquar të luftës sonë çlirimtare, Sahit dhe Musa Jashari nga Prekazi i lavdisë tonë kombëtare. Me Salën si kandidate në listën tonë për deputetë, dhe të rinjë të tjerë që do të na bashkohen rrugës, PDK do të jetë më e pasur dhe më e fuqishme për zgjedhjet e ardhshme. Mirë se vjen, Sala!”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka bërë me dije se do të ketë kritere së kush mund të jetë kandidat i kësaj parti për deputet.
“Çështja e listës do të diskutohet, por për një gjë jam i sigurt, do të ketë shumë risi në listë dhe do të jetë një listë reprezentative me njerëz adekuat”, ka thënë Hamza në një intervistë për emisionin “Pressing”.
Kurse, LDK-ja ka vendosur që pjesë e listës do të jenë të gjithë kryetarët e komunave që janë nga radhët e kësaj partie politike.
“Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli i Përgjithshëm aprovoi kuotën e ndarjes së nominimeve për listën e deputetëve, nëpër degët e Lidhjes Demokratike. Në listën e kandidatëve për deputetë, do të jenë të gjithë kryetarët e komunave të LDK-së; kjo për arsye që e djathta të jetë sa më e fuqishme në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me fatin e LDK-së, por fatin e Republikës dhe gjeneratave që vijnë. LDK është e gatshme për zgjedhjet kurdo që mbahen në Kosovë, prandaj është e vetmja parti që po bën të gjitha përgatitjet dhe po vazhdon takimet me qytetarë anë e kënd vendit”, është thënë në njoftimin e LDK-së, i cili është lëshuar pas mbledhje se Këshillit të Përgjithshëm.
Në këtë drejtim, duarkryq nuk ka qëndruar as AAK-ja e Ramush Haradinajt.
Ky i fundit në takimet e fundit ka prezantuar disa nga kandidatë që do të jenë pjesë e listës së AKA-së.
Deri me tani Haradinaj si kandidatë të AAK-së për deputetë ka prezantuar Prof. Mensur Nezirit dhe Rasim Selmanajn.
Vetëm Lëvizja Vetëvendosje deri më tani nuk ka treguar ndonjë lëvizje në këtë drejtim.